Sistemi Europian i Sigurisë Ushqimore ka ngritur shqetësime serioze për mandarinat që eksportohen nga Shqipëria.
Gjatë javëve të fundit, Kroacia, Republika Çeke, Italia dhe Lituania kanë refuzuar ngarkesat pas analizave që zbuluan mbetje të larta të pesticideve të ndaluara në BE. Substancat chlorpyrifos dhe phosmet, të pranishme në fruta, lidhen me dëmtime të trurit te fëmijët, çrregullime nervore dhe endokrine, si dhe rrezik të shtuar për kancer dhe sëmundje të zemrës.
Alarmi është dhënë nga Komisioni Europian më 29 nëntor dhe 11 dhjetor, por institucionet shqiptare ende nuk kanë bërë një deklaratë zyrtare apo ndërhyrje për tërheqjen e produkteve nga tregu.
Analizat tregojnë se nivelet e pesticideve janë 3 deri në 12 herë mbi normat e lejuara nga rregulloret europiane, të cilat janë ashpërsuar në shtator të vitit të kaluar.
Mosveprimi i autoriteteve ngre pikëpyetje mbi masat e kontrollit të sigurisë ushqimore dhe rrezikun që këto produkte paraqesin për konsumatorët vendas dhe ndërkombëtarë.