Taksa për infrastrukturën arsimore, qytetarët e Tiranës për të dytin vit do të paguajnë më shumë

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 18.12.2024, 11:46

Taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2016, do të vazhdojë të zbatohet deri në vitin 2025, që është viti i fundit i aplikimit të saj. Fillimisht e parashikuar të përfundonte në vitin 2022, Bashkia e Tiranës vendosi ta zgjasë me tre vite të tjera.

Për vitin 2025, Bashkia e Tiranës synon të mbledhë 805 milionë lekë nga kjo taksë, ose rreth 8.6 milionë euro. Kjo shifër është 11% më e lartë se mesatarja e të ardhurave të mbledhura nga kjo taksë gjatë periudhës 2018-2024. Të ardhurat kryesore priten nga kategoria e familjarëve dhe subjekteve tregtare, si rezultat i rritjes së çmimeve të referencës mbi të cilat llogaritet taksa.

Për kategorinë e familjarëve, pritet një rritje e arkëtimeve si në vitin 2024 ashtu edhe në 2025. Rritja lidhet kryesisht me vendimin e ri të qeverisë, të miratuar në korrik 2023, që ndryshoi çmimet e referencës për apartamentet. Ky vendim solli rritje të detyrimeve për taksën e ndërtesës dhe, si pasojë, për taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore. Për familjarët, kjo taksë paguhet në 12 këste mujore përmes faturave të ujit të pijshëm të shpërndara nga “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” (UKT). Shuma e kësaj takse përbën 35% të detyrimit për taksën e ndërtesës.

Për bizneset, detyrimi për këtë taksë administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore. Në krahasim me familjarët, vlerat e arkëtuara nga bizneset janë të lidhura me anekset specifike që përcaktojnë detyrimet për këtë kategori.

Që nga hyrja në fuqi e taksës, ajo ka pasur një nivel të kënaqshëm realizimi si për kategorinë e familjarëve, ashtu edhe për bizneset. Megjithatë, gjatë vitit 2023, arkëtimet u ulën për shkak të ndryshimeve në metodologjinë e llogaritjes dhe kufizimit të vlerës së saj në 35% të taksës së ndërtesës për të njëjtin subjekt.

Në total, për periudhën 2018-2025, Bashkia e Tiranës synon të mbledhë rreth 60 milionë euro nga kjo taksë. Të dhënat janë të përfshira në relacionin e projektbuxhetit të vitit 2025, ku theksohet se rritja e çmimeve të referencës për apartamentet në 32 zonat kadastrale të Tiranës, që varion nga 4% deri në 76%, ka ndikuar ndjeshëm në të ardhurat e pritshme nga kjo taksë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit