Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në një kumtesë për media thotë se e dënon ashpër kalimin e fazës së parë të propozim-ligjit për ndryshime në arsimin e mesëm, që sipas tyre, imponon zgjidhje monoetnike dhe cenon frymën e bashkëjetesës ndëretnike.
“Ky ligj është një hap prapa dhe i papranueshëm për një shtet multietnik si Maqedonia e Veriut. Edhe më e turpshme është sjellja e koalicionit VLEN. Duke mos votuar, ata heshtën dhe praktikisht dhanë mbështetje për këtë ligj”.
“Midis frikës nga zemërimi i popullit që aq shumë e kanë nënçmuar dhe frikës nga patronët e tyre të OBRM-PDUKM-së, ata mbetën të paralizuar. BDI mbështet veprimet e Frontit për të bllokuar këtë ligj. Shqiptarët nuk mund të pranojnë vendime që i anashkalojnë ata. Zgjidhja duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e drejtë për të gjithë”, thonë nga BDI.