Historia e trishtë e jetës së këngëtares shqiptare Parashqevi Simaku i ka prekur të gjithë. Djali i saj 20-vjeçar Luke Nolfe, sipas informacioneve ka refuzuar ta takojë të ëmën.
Fotot e saj me të datojnë që nga fëmijëria, e më pas nënë e bir janë ndarë për të mos u bashkuar më. Parashqevia ka qëndruar e pastrehë prejnvitesh duke pritur në stacionin e trenit në New York me shpresën se do të shfaqej i biri.
Ajo nuk pranonte para e as ushqim nga kalimtarët por thjesht i përshëndeste me një buzëqeshje.
“Avokati do të më sjellë djalin sepse ai vendos për mua se si do të vejë jeta ime dhe unë jam betuar për diçka dhe do e pres këtu në rrugë. Djali ime vendos për mua se si do të vejë jeta ime sepse unë jam betuar për diçka dhe unë do të rri këtu që ta pres”,-ka thënë Simaku kur e gjetën për herë të parë.
Dëshira e vetme e këngëtares është të shohë të birin dhe nuk i intereson fama apo paratë.
Ëndrra e Simakut për të shkuar në Hollywood nisi me largimin e saj nga Shqipëria drejt SHBA-së në vitin 1991.
Kulmi i jetës së saj ishte divorci nga ish-bashkëshorti i saj libanezo-amerikan me emrin Robert, të cilit shkurt i thërriste “Bobi” dhe ishte tejet e dashuruar me të.
Pas divorcit, gjykata amerikane vendosi që kujdestaria e djalit t’i takonte ish-bashkëshortit dhe jo këngëtares shqiptare. Kjo ishte goditja fatale për Parashqevi Simakun.
Humbja e djalit ishte traumatike për Parashqevi Simakun. Menjëherë pas humbjes së djalit, ajo humbi kontaktet me të afërmit, me miqtë, la shtëpinë e saj dhe nuk mund të identifikohej se ku ndodhej. Për 4 vite ajo jetoi në një qendër hebraike, ku qëndrojnë njerëzit e pastrehë. Pas 4 vitesh ajo u largua nga aty. Adresa e fundit e tregonte atë në Los Angeles.
Për 10 vite, ajo ka fjetur kudo që ka mundur. Rrugë, stacione trenash, në zona të ndryshme, ku shumë shqiptarë e kanë identifikuar.
Disa prej tyre, përfshirë edhe miqtë e saj, herë pas here e takonin për t’i dhënë ndihmë. Por ajo e kishte bërë atë zgjedhje vetë, jo për shkak të pamundësisë. Shumë njerëz kishin shkuar për t’i ofruar ndihmë, por ajo kishte refuzuar.
Kishte vendosur të merrte këtë mënyrë jetese në një moment traume për shkak të humbjes së fëmijës. E vetmja fjalë që ajo u ka përsëritur të gjithëve është ‘Po pres të ma sjellin djalin tim’. Historia e saj lidhet me një vendim që ajo kishte marrë në jetën e saj.