Sulmuesi i Kombëtares, Myrto Uzuni, ka dhuruar një tjetër paraqitje spektakolare në La Liga 2, duke udhëhequr ekipin e tij Granada drejt një fitoreje të rëndësishme ndaj Cartagenës. Uzuni realizoi një tripletë fantastike në këtë ndeshje, që përfundoi me rezultatin 4-1 në favor të Granadës.
Cartagena kaloi e para në avantazh në minutën e 12-të, por Myrto Uzuni mori situatën në dorë duke realizuar dy gola të shpejtë në minutat 14 dhe 27 të pjesës së parë, duke përmbysur rezultatin. Më pas, Uzuni vulosi fitoren e Granadës duke shënuar edhe golin e tretë personal dhe të katërtin për ekipin e tij në minutën e 73-të të sfidës. Futbollisti beratas është vlerësuar nga aplikacioni i statistikave "Sofascore" si më i miri i ndeshjes, me notën 8.9.
Me këto tre gola, Uzuni ka arritur në kuotën e 14 golave të realizuar dhe ka marrë kryesimin e renditjes së golashënuesve më të mirë në La Liga 2 në këtë sezon. Sulmuesi 29-vjeçar shqiptar po kalon një formë të shkëlqyer në Spanjë, duke konfirmuar edhe një herë vlerat e tij të jashtëzakonshme.
Për më tepër, me paraqitjet e tij të shkëlqyera dhe me golat e shumtë që ka realizuar, Myrto Uzuni është bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për ekipin e Granadës, një arritje historike për futbollistin shqiptar.
Fitorja e sotme e ngjit Granadën në vendin e katërt të klasifikimit të La Liga 2 me 32 pikë.