Benet Beci “rikthen” komunizmin në Shkodër? Kisha Katolike: Mosmirënjohja ndahet me turp!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 16.12.2024, 22:06

Kryebashkiaku Benet Beci, duket se këtë fundvit ka vendosur të krijojë në Shkodër një atmosferë që të kujton periudhën e errët të komunizmit, kur feja dhe festat fetare ishin të ndaluara.

Kjo pasi në qytetin verilindor është vënë re mungesa e pankartave dhe dekorimeve festive, gjë e cila ka bërë që Kisha Katolike e Shkodrës të ketë një reagim publik mbi këtë situatë të paprecedentë.

Nëpërmjet një reagimi publik në Facebook, famulltari i Kishës Katolike të Shkodrës, Dom Vlash Palaj, kritikon Bashkinë e Shkodrës për mungesën e e një ambienti festiv dhe për mosrespektimin e traditave të një qyteti me histori të thellë fetare dhe kulturore, ku komuniteti katolik ka luajtur një rol të rëndësishëm.

Më tej, famulltari theksoi se katolikët shqiptarë kanë festuar Krishtlindjen edhe në periudha të vështira, si në diktaturën komuniste, shpesh duke e paguar shtrenjtë këtë gjë.

Mungesa e një urimi zyrtar për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri nga Bashkia është parë si një tregues i mosmirënjohjes dhe mungesës së vëmendjes ndaj traditave dhe besimit të qytetarëve.

Në fund të postimit të tij, Dom Vlash Palaj i kujton Bashkisë se mirënjohja sjell mbarësi, ndërsa mosmirënjohja mbetet një njollë turpi.

Postimi i plotë i Dom Vlash Palaj​:

Bashkisë Shkodër.

Pse me e fshehë, kur dikush âsht në festë e ndjen fort dëshirën me marrë sa mâ shumë urime.

Me urue mendojmë se don me thanë me shprehë afrimitet, mbështetje, pozitivitet, mirëkuptim dhe harmoni.

E mirëpresim, që në një vend të dukshëm të qytetit të lexojshim një urim, fatkeqësisht të munguem deri më tâsh.

Komunitetet fetare në qytet janë shumë të çmueshme. Jena në prag të Krishtlindjes, në prag të asaj feste që katolikët shqiptarë me shumë sakrifica e kanë festue edhe gjatë diktaturës, bile mund t’a kenë pague edhe shtrejtë, prandaj presim që Bashkia Shkodër, e cila nuk duhet me u identifiku me një person, apo edhe me disa, por si një ent i zgjedhun i pushtetit lokal, me i SHËRBYE komunitetit pjesë e të cilit âsht edhe ai katolik, të vendosë sa më parë në vendet e duhuna publike, pankartat me urimin:

Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2025!

Mirënjohja ka mbarësinë!

Mosmirënjohja ndahet më turp!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit