Drejtori “Kaubojs” i ARRSH gostit Salillarin me 24 milionë euro

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 16.12.2024, 18:47

Një tjetër tender i Autoritetit Rrugor Shqiptar ka ngjallur dyshime mbi transparencën dhe integritetin e procesit. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Ndërtimi i aksit rrugor Elbasan – Papër, Faza I”, ku kompania SALILLARI, në pronësi të Pëllumb Salillarit, është shpallur fituese me një ofertë prej 2,000,000,000 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 24 milionë euro me TVSH.

Ky tender u organizua nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe mban numrin e referencës REF-22905-10-04-2024. Fondi limit për këtë projekt ishte përcaktuar në shumën 2,491,959,385 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 30 milionë euro me TVSH, ndërsa procedura e ndjekur ishte e hapur dhe mbi kufirin e lartë monetar.

Në garë për këtë tender morën pjesë disa kompani, ku të paktën tre prej tyre ofruan shifra ndjeshëm më të ulëta se SALILLARI. Për habi, këto kompani u skualifikuan, duke ngritur pikëpyetje mbi qëllimin dhe mënyrën e zhvillimit të procedurës.

Oferta fituese prej 2 miliardë lekësh përfaqëson 80.3% të fondit limit, një përqindje që lë shumë vend për dyshime, duke qenë se tenderat publikë zakonisht shihen me skepticizëm kur oferta fituese i afrohet kaq shumë kufirit maksimal. Për më tepër, fakti që oferta fituese është më e lartë se ofertat e tjera në garë shton dyshimet mbi manipulimin e tenderit.

Ekspertët dhe opinioni publik pyesin nëse skualifikimi i kompanive me oferta më të ulëta është i justifikueshëm apo një manovër për favorizimin e kompanisë SALILLARI. Ky tender duket se ndjek një model të përsëritur ku kompania SALILLARI shpallet fituese në projekte me vlerë të madhe, pavarësisht konkurrencës. Në mungesë të një hetimi të pavarur mbi procesin, mbetet e paqartë nëse ARRSH vepron në përputhje të plotë me parimet e transparencës dhe barazisë në prokurimet publike.

Drejtori i ARRSH-së, shpesh i quajtur "Kaubojs" për shkak të fotos së tij me armë, duhet të japë shpjegime mbi këtë proces, i cili tashmë ka ngjallur dyshime për korrupsion dhe favorizime të hapura.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit