Festat e fundvitit zakonisht lidhen me momentet feste e gëzimi, ushqimin e mirë dhe kohën e kaluar me familjen. Megjithatë për disa persona, këto ditë shërbejnë për të reflektuar mbi marrëdhëniet e tyre dhe shpesh për të marrë vendime të papritura.
Christoph Kraemer, drejtuesi i Ashley Madison në Europë, një platformë takimesh për personat e martuar që kërkojnë aventura jashtëmartesore, ka zbuluar disa sjellje interesante të tradhtarëve gjatë Krishtlindjeve.
Sipas tij, dhjetori shënon një periudhë më të qetë për ata që tradhtojnë, pasi shumica e njerëzve janë të përfshirë në përgatitjet dhe shpenzimet e festave. Por, piku i vërtetë i tradhtive ndodh menjëherë pas Vitit të Ri.
"Dhuratat, darkat dhe koha e kaluar me partnerin gjatë festave shpesh shfaqin mungesat apo problemet në marrëdhënie," tha Kraemer. Ai nënvizoi se gjatë këtyre ditëve, njerëzit reflektojnë mbi atë që mungon në marrëdhëniet e tyre, çka mund t’i shtyjë të kërkojnë alternativa të reja menjëherë pas festave.
Kraemer shtoi gjithashtu se dita e parë e punës pas Vitit të Ri, e njohur si "Dita e Divorcit", shënon një numër të madh të kërkesave për ndarje ose për aventura të reja.
Në mënyrë interesante, ai theksoi se shumica e përdoruesve të faqes së tyre nuk pretendojnë mungesë dashurie ndaj partnerëve, por ndiejnë një boshllëk emocional që i çon drejt tradhtisë.
Kraemer përfundon duke theksuar se kjo periudhë reflekton tendenca që janë parë edhe gjatë pandemisë, kur koha e shtuar me partnerin nxirrte në pah problemet ekzistuese në marrëdhënie.