Arkipelagu francez i Mayotte në Oqeanin Indian është goditur nga cikloni më i fuqishëm në gati një shekull, duke shkaktuar një numër të paqartë viktimash, që mund të jetë nga qindra deri në mijëra, sipas autoriteteve franceze.
Prefekti François-Xavier Bieuville deklaroi se "do të jetë e vështirë të përllogariten të gjithë viktimat," ndërsa banorët raportojnë për shkatërrime masive.
Cikloni Chido, me erëra që arritën deri në 200 km/h, shkatërroi ndërtesa, spitale dhe zona të tëra banimi. Banori Mohamed Ishmael nga kryeqyteti Mamoudzou tha: "Ajo që po përjetojmë është si pasojat e një lufte bërthamore. Një lagje e tërë është zhdukur."
Pamje ajrore treguan shtëpi të improvizuara të shkatërruara plotësisht, ndërsa përmbytjet dhe stuhitë shkaktuan dëme kolosale në infrastrukturë.
Pasojat e ciklonit kanë ngritur shqetësime serioze për mungesën e ushqimit, ujit dhe kushteve higjieno-sanitare. Autoritetet raportojnë vështirësi në përcaktimin e numrit të saktë të viktimave, pasi në kulturën myslimane të Mayotte trupat varrosen brenda 24 orëve.
Presidenti Emmanuel Macron shprehu ngushëllimet për viktimat, ndërsa qeveria ka nisur operacionet e ndihmës me një urë ajrore nga ishulli Reunion. Kjo katastrofë natyorore përbën një sfidë të madhe për kryeministrin e sapozgjedhur François Bayrou.
Mayotte, një ishull që varet ekonomikisht nga Franca, përballet me varfëri të thellë dhe tensione sociale.
Pas Mayotte, cikloni preku Mozambikun Verior, duke dëmtuar rrjetet e energjisë dhe komunikimit. Në ishujt Komore, dy persona u plagosën lehtë, 24 u zhvendosën dhe 21 shtëpi u shkatërruan.