Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 15.12.2024, 20:56
Një qytetar ka denoncuar përmes JOQ Albania një rastin e humbjes së një çante dore gjatë një udhëtimi nga Tirana në Luton të Anglisë me kompaninë ajrore Wizz Air.
Sipas tij, një çantë dore e vogël është humbur gjatë transportit, duke i shkaktuar jo vetëm humbje financiare të konsiderueshme, por edhe rrezikun për humbjen e vendit të punës për shkak të dokumenteve të rëndësishme që ndodheshin brenda saj.
Qytetari tregon se udhëtoi në muajin tetor nga Tirana në Luton. Çanta e vogël e dorës nuk u lejua të merrej me vete në kabinën e avionit për shkak se kishte rrota, një rregull i ri që, sipas tij, nuk ishte bërë publik më parë.
Ai u detyrua ta dorëzonte çantën në vendin ku dërgohen bagazhet e mëdha dhe pagoi për këtë shërbim. Megjithatë, kur mbërriti në Londër, çanta nuk u gjend. Qytetari bëri denoncim në seksionin Lost & Found, por as në Shqipëri dhe as në Angli nuk mori përgjigje konkrete. Për më tepër, pas dorëzimit të çantës, asnjë përgjegjësi nuk u mor nga ana e kompanisë për humbjen.
Denoncuesi shprehet se çanta përmbante objekte të çmuara dhe personale, përfshirë dokumente pune dhe personale, që tani rrezikojnë vendin e tij të punës, si dhe rroba dhe bizhuteri të shtrenjta.
Qytetari shprehet i zhgënjyer nga mungesa totale e përgjegjësisë së Wizz Air dhe nga komunikimi inekzistent i kompanisë në fjalë.
Denoncimi i plotë nga qytetari:
Pershendetje JOQ, si jeni? Dua te bej nje ankesë ju lutem për Wizz Air. Kam udhëtuar në tetor nga Tirana në Luton, Angli. Kisha një çantë të vogël dore, por ato nuk ma pranuan dhe më thanë ta çoja te rripi ku dërgohen valixhet e mëdha për t’i transportuar në avion. Bëra pagesë atje dhe kur arrita në Luton, çanta nuk u gjend askund. Bëra denoncim dhe më thanë që çanta s’ka ardhur. Kam pasur shumë gjëra personale dhe gjëra të shtrenjta brenda. Askush s’më përgjigjet. Kam kontaktuar disa herë në Shqipëri “Lost & Found,” por ato në Shqipëri thonë që e kemi nisur, ndërsa në Angli thonë që nuk ka ardhur. Dua një zgjidhje sepse po humb punën se kam pasur dhe dokumente, gjëra të mia personale, asgjë tjetër që nuk lejohet. S’kemi ku bëjmë ankesë sepse askush nuk mban përgjegjësi dhe nuk hapin telefonat. As nuk kemi si të flasim. Kisha gjëra të shtrenjta, rroba dhe gjëra që lejohen gjithmonë: një orë dhe një bizhuteri që janë me faturë dhe rroba të shtrenjta. S’më jep njeri zgjidhje dhe s’ma lanë çantën me marrë me vete dhe ma humbën. Jam shumë i indinjuar. Arsyeja që nuk pranuan çantën ishte se ajo kishte rrota, por jo e madhe si valixhe dhe kishte dalë një ndryshim i ri që, sado e vogël të jetë, nëse ka goma, nuk lejohet në avion. S'mbajnë asnjë përgjegjësi. Zero! Kam pasur dokumente pune dhe po rrezikoj të humb dhe punën. Gjëra të mia personale. Wizz nuk përgjigjet as në email, asgjë. 0 përgjigje."
FACT CHECK:
Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
raportoni këtu.