Në aksionin “Shporta e Vitit të Ri” që filloi sot janë përfshirë mbi 90 prodhues dhe shpërndarës, ndërsa produktet me çmime më të ulëta janë të kapshëm në 38 zinxhirë të tregjeve. Aksioni deri më tani përfshin më shumë se 960 produkte dhe do të zgjasë deri më 15 janar.
Ministria e Ekonomisë apelon që kompanitë të respektojnë deri në fund “Shportën e Vitit të Ri” që e kanë krijuar vetë dhe nëse qytetarët kanë ndonjë vërejtje, t’i paraqesin në Inspektoratin Shtetëror të Tregut në numrin falas 191 ose në ueb faqen www.dpi.gov.mk.
“Përmes kësaj mase ne ndihmojmë drejtpërdrejt në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve për të kaluar festat e Vitit të Ri në kushte të mira. Të gjitha informacionet në lidhje me aksionin, listën e produkteve dhe kompanitë që janë pjesë e shportës (prodhuesit, shpërndarësit, marketet…) publikohen në faqen e internetit www.mojakosnica.mk. Lista e produkteve nuk është mbyllur dhe të gjitha palët e interesuara mund të aplikojnë me produktet e tyre në [email protected]”, thuhet në kumtesën e ministrisë.
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski sot pasdite përmes profilit të tij në Fejsbuk ka bërë të ditur se sot fillon aksioni që siç theksoi ai, “ndihmon drejtpërdrejt qytetarët”.
“Nga sot fillon fushata ‘Më pak harxhime, më shumë për ty – Kujdesemi’ e cila përfshin mbi 800 produkte ushqimore me çmime më të ulëta për të paktën 10%. Në listën e shportës konsumatore për festat e Vitit të Ri përfshihen bukë dhe drithëra, produkte furre, mish dhe përpunime të mishit, peshk, qumësht dhe produkte qumështi, ëmbëlsira, fruta dhe perime të freskëta, të ngrira dhe të konservuara, pije joalkoolike (me gaz dhe pa gaz), pije alkoolike (verë dhe birrë) dhe të tjera. Fushata do të zgjasë deri më 15 janar 2025 dhe çdo produkt në raftet e marketeve do të jetë i shënuar në mënyrë përkatëse. Aktualisht janë të përfshira mbi 80 kompani dhe pritet që të bashkëngjiten edhe kompani dhe markete të tjera, duke e zgjeruar listën e shportës konsumatore për festat e Vitit të Ri me mbi 1000 produkte. Me këtë masë, ndihmojmë drejtpërdrejt për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve në mënyrë që festat e Vitit të Ri t’i kalojnë në kushte të denja”, ka thënë Mickoski.
“Shporta e Vitit të Ri” është bërë me iniciativë të sektorit të biznesit i cili ka ofruar shitjen e produkteve me çmime më të ulëta për qytetarët prej të paktën 10 për qind. Të gjitha produktet që mbulohen nga aksioni janë të shënuara në raftet e marketeve me etiketën “Kujdesemi!” Më pak harxhime, më shumë për ty.”
Inspektorati Shtetëror i Tregut informoi se po kryhen kontrolle në marketet në të gjithë vendin dhe u konstatua se çmimet e produkteve nga “Shporta e Vitit të Ri” janë ulur me 10 për qind.