Policia e Kosovës ka njoftuar për një gjuajtje me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në Mramor të Prishtinës.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se policia ka vendosur pikë kontrolli ndaj veturës ku kanë qenë të dyshuarit që kanë gjuajtur me armë zjarri. Të njëjtit, kanë refuzuar në dy pika kontrolli të ndalojnë.
Me këtë rast, Ahmeti thotë se janë rrezikuar jetët e zyrtarëve policorë, për çka këta të fundur kanë përdorur edhe armë zjarri.
“Prishtinë 15 dhjetor 2024 – Rreth orës 17:30 është pranuar informata për gjuajtje me armë zjarri në fshatin Mramor të komunës së Prishtinës. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç ‘rast ka identifikuar një veturë të dyshuar e cila përkundër sinjalizimit të policisë për tu ndalur në pikë kontrolli e njëjta ka refuzuar duke vozitur me shpejtësi të madhe dhe duke manovruar rrezikshëm, kësisoj duke vënë para rrezikut të drejtpërdrejtë zyrtaret policor”, ka thënë Ahmeti.
“Duke parë rrethanat e ngjarjes policia me shpejtësi ka organizuar edhe një tjetër pikë kontrolli me qëllim ndalimin e veturës së dyshuar porse vetura sërish nuk është ndaluar dhe me manovrime të rrezikshme ka bërë përpjekje të qëllimshme për të goditur zyrtarët policor. Për të shmangur rrezikun e menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë për jetën, zyrtarët policor janë detyruar të përdorin armën e zjarrit”.
Ajo ka bërë të ditur se të dyshuarit janë në arrati, kurse ka bërë thirrje tek qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës kushdo që ka informacion për ta.