Reshjet e fundit të shiut kanë nxjerrë sërish në pah një problem të përsëritur për banorët e Njësisë Nr. 5, përballë selisë së LSI-së në Tiranë. Zona përmbytet sa herë që bie shi, duke e bërë jetën të pamundur për banorët dhe duke paralizuar aktivitetet e bizneseve lokale.
Sipas raportimeve të banorëve, rrugët bëhen të pakalueshme, ndërsa uji hyn në prona, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. “Edhe pse i jemi drejtuar Bashkisë disa herë, deri tani nuk kemi marrë asnjë zgjidhje konkrete. Përmbytjet po na e bëjnë të pamundur jetesën,” shprehet një nga banorët e zonës.
Banorët apelojnë për ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për të zgjidhur këtë problem kronik, me shpresën që të mos përballen më me të njëjtën situatë sa herë ka reshje. Deri tani, mungesa e masave konkrete mbetet shqetësimi kryesor për komunitetin.
DENONCIMI:
“Përshëndetje JOQ,
Dua të ndaj një shqetësim të madh që po hasim në lagjen tonë sa herë ka reshje shiu , tek Njësia Nr. 5, përballë selisë së LSI. Sa herë bie shi, zona përmbytet dhe rrugët bëhen të pakalueshme, duke krijuar probleme të mëdha për banorët dhe bizneset.
Edhe pse i jemi drejtuar bashkisë disa herë, deri tani nuk kemi marrë asnjë zgjidhje konkrete. Përmbytjet po na e bëjnë të pamundur jetesën dhe po shkaktojnë dëme në pronat dhe aktivitetet tona.
Ju lutem, publikojeni këtë problem në platformën tuaj, me shpresën që të sensibilizohen institucionet për të ndërhyrë dhe zgjidhur këtë situatë njëherë e mirë.
Faleminderit! Banor i Njësisë Nr. 5“