SHBA konfirmon kontaktet e drejtpërdrejta me grupin rebel që rrëzoi Assadin nga pushteti

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 15.12.2024, 00:37

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka konfirmuar për herë të parë kontaktet e drejtpërdrejta mes administratës Biden dhe grupit rebel Hayat Tahrir al-Sham (HTS), i cili luajti një rol kyç në rrëzimin e presidentit sirian Bashar al-Assad.

Në një konferencë për shtyp në Jordani, Blinken deklaroi se këto kontakte janë pjesë e përpjekjeve për të mbështetur Sirinë në një tranzicion drejt paqes dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një shteti përfshirës dhe jo-sektar.

"Po, kemi qenë në kontakt me HTS dhe me palë të tjera,” tha Blinken nga porti i Akabas. Ai shtoi se SHBA dëshiron që populli sirian të ketë sukses dhe është gati t’i ndihmojë ata në këtë rrugëtim.

HTS, e njohur më parë si degë e Al-Kaedës, është klasifikuar nga SHBA si organizatë terroriste që nga viti 2018, çka nënkupton sanksione të rënda. Megjithatë, kjo nuk ndalon ligjërisht komunikimin mes zyrtarëve amerikanë dhe këtij grupi.

Lideri i HTS-së, Ahmad al-Sharaa, i njohur si Abu Mohammed al-Golani, në një intervistë për televizionin sirian, nuk i komentoi kontaktet e drejtpërdrejta me SHBA-në, por theksoi se autoritetet e reja në Damask janë në kontakt me ambasadat perëndimore. Ai siguroi publikun se grupi synon të shmangë konfliktet dhe të përqendrohet në stabilizimin e vendit.

Një deklaratë e përbashkët nga ministrat e jashtëm të SHBA, tetë vendeve arabe, Turqisë, BE-së dhe OKB-së bëri thirrje për ndalimin e armiqësive në Siri dhe për një proces politik tranzitor të udhëhequr nga populli sirian. Deklarata gjithashtu theksoi rëndësinë e parandalimit të rikthimit të grupeve ekstremiste dhe asgjësimit të armëve kimike.

Blinken gjithashtu nënvizoi përparësinë e vazhdimit të rolit të Forcave Demokratike Siriane të mbështetura nga SHBA, duke theksuar se ky moment pasigurie mund të shfrytëzohet nga grupi terrorist i Shtetit Islamik për t’u rikthyer.

Sekretari Blinken tha gjithashtu se SHBA po vazhdon përpjekjet për të gjetur gazetarin amerikan Austin Tice, i zhdukur prej 12 vitesh pranë Damaskut. “I kemi bërë të qartë të gjitha palëve me të cilat kemi qenë në kontakt rëndësinë e gjetjes së Austin Tice dhe kthimit të tij në shtëpi,” shtoi ai.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit