“Ka bllokuar krejt trotuarin, si ka mundësi që Bashkia e Kamzës ka dhënë një leje të tillë?”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14.12.2024, 23:02

Një qytetar ka denoncuar një rast të zaptimit të hapësirës publike në bulevardin kryesor të Kamzës, ku sipas tij, një ndërtim pa kriter po cenon të drejtat e qytetarëve dhe të bizneseve që operojnë në zonë.

Në mesazhin e tij drejtuar JOQ Albania, qytetari shpreh shqetësimin për një pallat të ndërtuar në këtë zonë, ku shumë biznese janë vendosur dhe i kanë dhënë ambientet me qira.

Problemi, sipas tij, qëndron te një biznes specifik, i cili ka zaptuar trotuarin dhe ka hedhur beton për ndërtimin e një shtese, me qëllim krijimin e një ambienti për lokal.

Qytetari shprehet se kjo ndërhyrje jo vetëm që bllokon hyrjen në katin e dytë të godinës, por po pengon edhe aksesin e qytetarëve në trotuar, duke shkelur të drejtën për hapësirë publike.

Banorët dhe bizneset e zonës shprehen se janë të shqetësuar dhe kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të Bashkisë Kamëz për të parandaluar këtë shkelje. Ai ngre pikëpyetje se si mund të jetë dhënë një leje për një ndërtim të tillë, që sipas tyre, është në kundërshtim me interesin publik dhe rregullat urbanistike.

Denoncuesi thekson se qiramarrësit që operojnë në dyqanet e zonës po shprehin pakënaqësi dhe janë në prag të largimit nga hapësirat që kanë marrë me qira, për shkak të pengesave që ky ndërtim po krijon.

Denoncimi i plotë nga qytetari:

Pershendetje JOQ. Në bulevardin e Kamzës, në bulevardin kryesor, është ndërtuar një pallat dhe të gjithë jemi futur me bizneset tona, dhe i kemi dhënë me qira. Problemi qëndron te ky biznesi këtu, që ka zaptuar trotuarin dhe ka hedhur beton për ndërtim shtese, sepse do të bëjë lokal/lounge. Gjë që po bllokon edhe hyrjen e katit të dytë në bizneset e tjera. Nuk e di se si Bashkia e Kamzës mund të ketë dhënë një leje të tillë. Jemi shumë të shqetësuar nga kjo gjë e cila cenon hapësirën publike që kemi të përbashkët. Duam të parandalojmë këtë gjë përpara se të jetë shumë vonë. Do të na bllokohet hyrja dhe po cenohen të drejtat tona. Qiraxhinjtë po ankohen dhe duan të lënë dyqanet. Ka bllokuar krejt trotuarin në krahun tjetër. Ju lutem, bëni diçka, sepse po na sjell shumë probleme."

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit