Policia greke ka marrë një vendim të paprecedentë për ndalimin e feste të organizuar nga shqiptarët në në periferinë jugore të Athinës.
Eventi me muzikë dhe valle ishte planifikuar të zhvillohej ditën e dielë, më 15 dhjetor 2024, në zonën e Alimos.
Ky vendim ka ngjallur debate të shumta, pasi ndalon një aktivitet publik të njoftuar përmes rrjeteve sociale.
Gjatë ditëve të fundit, në rrjetet sociale janë shpërndarë thirrje nga shqiptarët që jetojnë në Greqi për t’u mbledhur në një parking pranë një supermarketi të madh në bulevardin e Alimos, për të organizuar këtë festë.
Megjithatë, autoritetet policore helene kanë ndërhyrë duke ndaluar këtë aktivitet.
"Me vendim të Drejtorit të Policisë së Atikës Juglindore, ndalohet mbajtja e grumbullimit publik të jashtëm, i cili është shpallur përmes rrjeteve sociale më 15-12-2024, ora 19:00, në rrugën ‘Koris’ në zonën e Alimos, nga shtetas shqiptarë," thuhej në njoftimin e policisë greke ndër të tjera.
Policia e justifikon këtë vendim duke deklaruar se grumbullimi "kërcënon seriozisht ndërprerjen e jetës socio-ekonomike në këtë zonë".
Ky veprim është konsideruar një masë ekstreme dhe e paprecedentë, që ka ngjallur shqetësime në komunitetin shqiptar në Greqi mbi të drejtat e grumbullimit dhe lirinë e shprehjes, veçanërisht kur bëhet fjalë për një festim me këngë dhe valle.