Ohri në rrezik nga ndërtimet e paligjshme, UNESCO kërkon mbrojtje urgjente

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 14.12.2024, 12:12

Rajoni i Ohrit përballet me kërcënime të mëdha nga ndërtimet e paligjshme, urbanizimi i pakontrolluar dhe planifikimi i papërshtatshëm, duke rrezikuar ruajtjen e tij si një nga thesaret më të çmuara natyrore dhe kulturore. Autoritetet në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri janë thirrur të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të parandaluar që rajoni të futet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Raporti i fundit thekson se ndërhyrjet joadekuate dhe mungesa e masave mbrojtëse po shkaktojnë dëme të pariparueshme në rajon, duke vënë në rrezik vlerën e tij universale. Janë bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të ndërtimeve në Kënetën e Studeniçishtës, rishikimin e planeve urbanistike në Ohrin dhe Strugën, si dhe zgjidhjen e problemit të ndërtimeve pa leje që kanë dëmtuar karakterin autentik të zonës. Organizatat qytetare raportojnë se situata ka përkeqësuar në disa raste, duke fajësuar mungesën e reagimit të institucioneve dhe zbatimit të ligjeve ekzistuese.

Vetëm në territorin e komunës së Ohrit, nga viti 2006 e deri më sot, janë evidentuar mbi 800 ndërtime të paligjshme, një pjesë e të cilave ndodhen në zona të mbrojtura si bregu i Liqenit të Ohrit dhe Parku Kombëtar i Galiçicës. Ligji për legalizimin e ndërtimeve pa leje, i miratuar në vitin 2011, ka lejuar aplikimet për legalizim të ndërtimeve të realizuara deri atëherë, por ndërkohë janë raportuar edhe raste të reja të ndërtimeve të paligjshme që vazhdojnë të degradojnë rajonin. Organizatat qytetare paralajmërojnë se moszbatimi i ligjeve dhe mungesa e kontrollit institucional kanë shkaktuar përkeqësimin e situatës dhe shkatërrimin e mëtejshëm të biodiversitetit të Liqenit të Ohrit.

Shqipëria, nga ana e saj, ka detyrime për mbrojtjen e pjesës së saj të Liqenit të Ohrit, e cila është vendosur nën mbrojtje që nga viti 2019. Autoritetet shqiptare duhet të rishikojnë Planin e Përgjithshëm të Pogradecit, të parandalojnë zhvillimin urban në bregdet dhe në zonën e ndjeshme të Drilonit. Të dy vendet janë të detyruara të hartojnë një vlerësim strategjik mjedisor për të analizuar ndikimet kumulative të aktiviteteve zhvillimore dhe të intensifikojnë bashkëpunimin për zbatimin e rekomandimeve.

Deri më 1 shkurt 2025, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të paraqesin një raport të përbashkët mbi masat e ndërmarra për mbrojtjen e rajonit. Nëse masat e nevojshme nuk merren, ekziston rreziku që rajoni i Ohrit të humbasë statusin e tij si Trashëgimi Botërore. Kjo situatë kërkon përkushtim të madh dhe bashkëpunim të ngushtë midis dy vendeve për të mbrojtur këtë pasuri unike për brezat e ardhshëm.

Ohri, i njohur për historinë e pasur dhe bukurinë e tij natyrore, mbetet një simbol i trashëgimisë që kërkon masa të menjëhershme për t’u ruajtur. Organizatat mjedisore dhe qytetare vazhdojnë të apelojnë për mobilizim të gjerë dhe për ndërhyrje konkrete, duke paralajmëruar se mosveprimi do të sjellë humbje të pakthyeshme për këtë rajon të veçantë. Situata është nën monitorim të vazhdueshëm, dhe Komiteti i Konventës së Bernës po shqyrton gjithashtu hapat për ruajtjen e tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit