Mbrëmjen e së premtes, rreth orës 17:30, në kanalin vaditës Peqin-Kavajë, pranë fshatit Hoxhaj, u gjet i pajetë shtetasi Agim Dallupi, 25 vjeç, banor i Peqinit. Trupi i të riut u zbulua pas dhjetë ditësh kërkimesh intensive dhe u nxor nga kanali falë ndërhyrjes së forcave të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të Peqinit.
Agim Dallupi, i cili njihej si person me aftësi ndryshe, ishte raportuar i humbur që prej dhjetë ditësh. Që nga zhdukja e tij, kërkimet ishin përqendruar përgjatë zonës së lumit Shkumbin dhe kanalit vaditës Peqin-Kavajë.
Trupi i pajetë është transportuar në morgun e Spitalit Rajonal të Elbasanit, ku do t’i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Ndërkohë, policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.
Humbja e tij u publikua nga JOQ rreth 5 ditë më parë por fatkeqësisht nuk u arrit të gjendej gjallë.