Prej 4 Janarit 2025, autostrada Thumanë-Kashar do të bëhet zyrtarisht një makinë gjigante për zhvatjen e qytetarëve shqiptarë. Me tarifa fillestare prej 2.1 eurosh për kalim, kompania koncesionare “Gener 2” e oligarkut Bashkim Ulaj do të sigurojë fitime marramendëse, ndërsa përdoruesit e rrugës do të përballen me një tjetër goditje financiare në përditshmërinë e tyre. Tarifat mund të rriten çdo vit sipas dëshirës së kompanisë, duke përdorur si justifikim luhatjet e kursit të këmbimit lekë-euro.
Aksi Thumanë-Kashar, që duhej të shërbente si një investim për lehtësimin e lëvizjes, është kthyer në simbol të zhvatjes financiare dhe abuzimeve të rënda. Ky është aksi më i shtrenjtë në botë për kilometër:
Në një periudhë 35-vjeçare, kompania “Gener 2” do të përfitojë mbi 1.3 miliardë euro nga vetëm 22 kilometra rrugë, një shumë që tregon hapur nivelin e supervjedhjes që po ndodh. Kjo ndodh në një kohë kur rruga u ndërtua me një cilësi skandaloze, duke shfaqur valëzime dhe gropa pas vetëm dy muajsh nga inaugurimi. Ekspertët kanë zbuluar se kompania ka përdorur vetëm 30% të trashësisë së parashikuar të asfaltit, duke vënë drejtpërdrejt në rrezik jetën e përdoruesve.
Fillimisht e parashikuar me një kosto prej 188 milionë dollarësh, vlera e rrugës është fryrë në mënyrë kriminale në 435 milionë euro, ndërkohë që 25% e projektit nuk është realizuar. Këto para të vjedhura nga taksapaguesit shqiptarë nuk janë reflektuar as në ndriçim, as në elementë sigurie, as në parametra minimalë cilësie.
Ndryshimet e qëllimshme në projekt eliminuan nyjet lidhëse për qendrat e banuara, duke krijuar një monopol të pastër për kompaninë e Ulajt. Kjo i detyron qytetarët të përdorin vetëm këtë aks me pagesë, duke u privuar nga çdo alternativë falas, një akt që përbën një shkelje të hapur të të drejtave të tyre si përdorues.
Përballë këtyre abuzimeve kolosale, heshtja e institucioneve të drejtësisë, përfshirë SPAK-un, është skandaloze. Supervjedhja e oligarkut Bashkim Ulaj dhe pazaret e tij me qeverinë e Edi Ramës mbeten pa asnjë hetim serioz, ndërsa qytetarët janë të detyruar të paguajnë për një rrugë të shtrenjtë, të pasigurt dhe me cilësi të turpshme.
Ky projekt, që duhej të ishte një kontribut për zhvillimin e vendit, është kthyer në një mekanizëm të pamëshirshëm zhvatjeje, duke shërbyer interesave të një grupi të vogël oligarkësh dhe duke lënë shqiptarët me një faturë të rëndë financiare dhe morale.