Kanë dalë detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë që u shënua sot paradite në Fier, ku dy adoleshentë u përfshinë në një konflikt fizik. Si pasojë e këtij incidenti, njëri prej tyre është plagosur me thikë dhe është dërguar në spital, ndërsa tjetri është ndaluar nga autoritetet.
Sipas të dhënave fillestare, ngjarja dyshohet të ketë nisur nga një debat për një postim në rrjetin social Snapchat, që çoi në përplasjen mes të rinjve në oborrin e shkollës.
Drejtori i qendrës shëndetësore Cakran, Tonin Xhelaj, ka bërë të ditur se i riu 17-vjeçar ka kërkuar ndihmë mjekësore, i shoqëruar nga shokët e tij. Ai ka marrë katër plagë dhe pas trajtimit të parë në spitalin e Cakranit, është transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin Rajonal të Fierit.