Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania lidhur me problemet e vazhdueshme të platformës e-Albania. Sipas një qytetari, prej të paktën 10 ditësh, platforma nuk funksionon për ngarkimin e materialeve, duke përfshirë raportet e pushimit për të sëmurët dhe raportet për gratë në pushim të lindjes.
Si pasojë e kësaj situate, denoncuesi shprehet se punonjësit që nuk janë në gjendje të punojnë, si dhe gratë në pushim të lindjes, ende nuk kanë marrë pagesat e muajit dhjetor. Ka shumë gjasa që këto pagesa të mos bëhen fare gjatë këtij muaji, duke e rënduar situatën financiare të këtyre familjeve në prag të festave të fundvitit.
"Përshëndetje JOQ, e-Albania nuk punon për ngarkim materialesh prej të paktën 10 ditësh, e asnjë raport pushimi për të sëmurë a asnjë raport për gratë me pushim lindje nuk ngarkohet dot. Si pasojë, as punëtorët në pamundësi pune e as gratë me pushim lindjeje akoma nuk kanë marrë pagesën e dhjetorit e me gjasë nuk do u dali fare në dhjetor."
Prej disa ditësh në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur denoncime të panumërta në lidhje me problemet serioze që po hasin qytetarët me platformën e-Albania. Qytetarët kanë raportuar keqfunksionime të vazhdueshme, pamundësi për të ngarkuar dokumente të rëndësishme dhe vonesa të pagesave. Këto probleme po penalizojnë rëndë qytetarët, duke i lënë pa shërbim.