Në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një denoncim alarmant nga një qytetar, i cili pretendon për një ngjarje shqetësuese me protagonist një nxënës të një shkolle 9-vjeçare në Vlorë.
Sipas denoncimit, një nxënës 14-vjeçar është ndaluar nga policia pasi posedonte një armë zjarri të tipit TT dhe 85 fishekë, të cilat u zbuluan gjatë kontrollit në banesën e tij.
Denoncuesi pretendon gjithashtu se i mituri e kishte sjellë armën me vete në shkollë dhe se kishte publikuar më parë foto dhe video të armës në rrjetet sociale, përfshirë TikTok dhe Snapchat.
Policia e Shtetit nuk ka dalë ende me një njoftim zyrtar lidhur me këtë çështje.
Nëse pretendimet janë të sakta, bëhet fjalë për një rast tejet shqetësues që ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë në shkollat 9-vjeçare në Vlorë dhe mbi mbikëqyrjen e të miturve.
Për këtë arsye, JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Shtetit të sqarojë publikisht si qëndron e vërteta lidhur me këtë ngjarje dhe të informojë qytetarët mbi masat e marra për të garantuar sigurinë e nxënësve.
JOQ Albania mbetet në pritje të një reagimi zyrtar dhe do të ndjekë nga afër këtë rast për të siguruar transparencë. Ndërkohë, ftojmë qytetarët të vijojnë të denoncojnë raste të ngjashme për të ndihmuar në ruajtjen e sigurisë publike.