Tre padi të reja janë ngritur kundër reperit Sean “Diddy” Combs, i njohur ndryshe si P Diddy, i cili së fundmi është akuzuar për drogimin dhe përdhunimin e tre burrave në dy hotele në Manhattan dhe në rezidencën e tij në Hamptons.
Paditë të cilat janë ngritur në New York të enjten, përshkruajnë një seri sulmesh të tmerrshme, ku viktimat pretendojnë se janë droguar dhe më pas janë sulmuar seksualisht nga Combs dhe persona të tjerë nga kompania e tij, Bad Boy Records.
Një prej akuzuesve që punonte si “djalë porosish” për Bad Boy Records, pretendon se gjatë një sulmi në hotelin InterContinental New York Times Square në shkurt 2020, ai u përpoq të rezistonte, por Combs i tha të “ndalonte” dhe se ishte “i marrë fund.” Viktima gjithashtu pretendon se Combs e kërcënoi, duke i thënë se do të “dukej si një idiot” nëse tentonte të shkonte në polici.
Një tjetër viktimë përshkroi se si, gjatë një feste ekskluzive në hotelin Park Hyatt në vitin 2019, ai pati një moment të shkurtër vetëdijeje dhe pa një burrë dhe një grua duke regjistruar përdhunimin e tij me kamerë. Kur u zgjua, një burrë i panjohur i dha rreth 2,500 dollarë në dorë, duke i thënë se ishin nga Combs, i cili tashmë kishte ikur.
Rasti i tretë ka të bëjë me një burrë nga Florida, i cili pretendon se gjatë një feste në rezidencën e Combs në Hamptons në verën e vitit 2020, ai humbi ndjenjat pasi piu një pije që ishte droguar. Sipas padisë, Combs dhe bashkëpunëtorët e tij morën radhë për ta sulmuar seksualisht. Viktima u zgjua të nesërmen me dhimbje të mëdha dhe i rrethuar nga bashkëpunëtorët e Combs.
"Këto sulme ndodhën sepse Sean Combs është një person shumë i famshëm dhe i pasur, që ka abuzuar me pushtetin e tij duke droguar dhe kërcënuar këta burra,” deklaroi avokati i viktimave, Thomas P. Giuffra.
Combs ka mohuar akuzat nëpërmjet avokatëve të tij, duke i quajtur paditë “të mbushura me gënjeshtra” dhe duke kërcënuar me ndëshkime ligjore për avokatët që ngritën këto padi. Ndërkohë, viktimat kanë zgjedhur të mbeten anonimë për shkak të kërcënimeve të mëparshme nga Combs.