840 MLN + 750 MLN Plarent Gjinarit për larje çarçafësh!

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 12.12.2024, 21:22

Tenderët në Spitalin Memorial dhe atë Rajonal Fier kanë ngritur dyshime serioze për abuzim me fondet publike. Një tjetër tender i majmë ka shkuar në xhepat e Plarent Gjinarit, një biznesmen i njohur për përfitime masive nga fondet e shtetit.

Spitali Rajonal “Memorial” Fier, që dikur u paraqit si dhuratë e presidentit turk Erdogan për shqiptarët, duket se është kthyer në një “makinë për zhvatur fonde publike”.

Këtë radhë në vëzhgimin e JOQ, tenderi për shërbimin e lavanderisë për pacientët e spitalit, me vlerë mbi 840 milionë lekë pa TVSH, i është dhënë kompanisë së Plarent Gjinarit nëpërmjet një procedure të dyshimtë nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara.

Gjithashtu, një tender i mëparshëm për të njëjtën kategori në këtë spital, me vlerë rreth 750 milionë lekë pa TVSH, u dha në 2021 po kompanisë së Gjinarit, duke ngritur dyshime se ky operator ekonomik është favorizuar në mënyrë të qëllimshme.

Kush është Plarent Gjinari?

Plarent Gjinari është një emër i njohur në sektorin e tenderëve shtetërorë. Ai është pronari i kompanive “Univers Servis” dhe “Rada Oil Industry”, të cilat kanë përfituar miliarda lekë nga shteti. Gjinari ka lidhje të ngushta me projekte të mëdha publike, veçanërisht me Albanian Gas Service Company, ku kompania e tij ka përfituar miliarda nga menaxhimi i mbetjeve.

Këto përfitime, të gjitha nga buxheti i shtetit, janë të mbuluara nga hije të rënda dyshimi, pasi shpesh herë tenderët e fituar prej tij kanë qenë pa konkurrencë të vërtetë.

Spitali Memorial Fier u promovua si një model i ndihmës ndërkombëtare dhe kujdesit shëndetësor të përmirësuar, por në realitet duket se ka shërbyer si një burim fitimesh për kompani private të lidhura me interesat politike dhe ekonomike. Fondi i madh i dhënë për larjen e çarçafëve është një shembull i qartë se si institucionet publike janë kthyer në qendra abuzimi me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Ky rast është një tjetër shembull i sistemit të tenderimit në Shqipëri, ku mungesa e konkurrencës dhe favorizimi i një grupi të ngushtë biznesmenësh po ndikon drejtpërdrejt në varfërimin e fondeve publike dhe shkatërrimin e konkurrencës së ndershme. Institucionet përkatëse duhet të reagojnë menjëherë për të ndaluar abuzimet dhe për të mbrojtur interesin e qytetarëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit