Postera me fytyrat e drejtuesëve të kompanive të sigurimeve shëndetësore janë vendosur në “Canal Street”, në Manhattan, pas vrasjes së Brian Thompson, kreut të “UnitedHealthcare”, një javë më parë. Në këto postera shkruhej: "Kërkohen. Refuzimi i kujdesit mjekësor për përfitime korporatash. Drejtorët ekzekutivë të kompanive të sigurimeve shëndetësore nuk duhet të ndihen të sigurt." Po ashtu, në postera ishin shkruar edhe fjalët: "Moho, mbro, rrëzo", të cilat dyshohet se ishin shkruar në plumbat e gjetura në vendin ku z. Thompson u qëllua për vdekje.
Përveç postereve, postimet virale në internet gjithashtu listuan emrat dhe pagat e tetë drejtuesve të kompanive të sigurimeve shëndetësore, çka bëri që Departamenti i Policisë së Nju Jorkut të lëshonte një buletin të martën për të theksuar rrezikun e rritur për drejtuesit e kujdesit shëndetësor. Buletini gjithashtu paralajmëronte se përdoruesit në internet mund ta shihnin Mangione si një "martir" që mund të frymëzojë ekstremistët për veprime.
Mangione, i arrestuar në Pennsylvania, kishte një dokument që shprehte zemërim ndaj "kompanive parazitare" të sigurimeve shëndetësore dhe lakmisë korporative. Ai kritikoi sistemin shëndetësor të SHBA-së për kostot e larta dhe pritshmërinë e ulët.
Mangione ndodhet në burg në Pennsylvania dhe është akuzuar për vrasje, posedim të një arme pa leje, falsifikim dhe dhënie identifikimi të rremë ndaj policisë. Prokurorët e Manhatanit po përpiqen ta sjellin atë në New York, por ai ka refuzuar ekstradimin dhe ka kërkuar një seancë dëgjimore për këtë çështje.