Rebelët sirianë kanë marrë rreth 150 dronë dhe mbështetje të fshehtë nga operativët e inteligjencës ukrainase muajin e kaluar, pak javë para përparimit të tyre që çoi në rrëzimin e Bashar al-Assadit gjatë fundjavës, raportoi Washington Post.
Sipas burimeve të njohura me aktivitetet ushtarake të Ukrainës, Washington Post raportoi se inteligjenca ukrainase dërgoi rreth 20 operatorë dronësh dhe rreth 150 dronë të llojit "first-person-view" (FPV) rreth 4-5 javë më parë për të ndihmuar grupin rebel Hayat Tahrir al-Sham (HTS).
Ministria e Jashtme e Rusisë kishte pohuar më herët, pa ofruar prova, se rebelët kishin marrë dronë nga Ukraina dhe trajnim për t’i përdorur ata. Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Ukrainës i hodhi poshtë kategorikisht këto akuza.
HTS, një ish-degë e Al Kaedës, ka nisur krijimin e një administrate të përkohshme pas një lufte civile 13-vjeçare që ka përçarë Sirinë, një vend i njohur për një nga regjimet më shtypëse në Lindjen e Mesme gjatë pesë dekadave të sundimit të familjes Asad.
Rusia, e cila është e përfshirë në konfliktin e saj me Ukrainën pas pushtimit të vendit në shkurt të vitit 2022, është aleate kyçe e Assadit dhe ka ofruar mbështetje ushtarake për të që prej vitit 2015. Forcat ruse ndihmuan ushtrinë e Asadit të kryente sulme ajrore kundër rebelëve më herët këtë muaj.
Sidoqoftë, blogerët ushtarakë rusë kanë paralajmëruar se rrëzimi i Asadit kërcënon jo vetëm dy baza ushtarake strategjike të Rusisë në Siri, por edhe vetë praninë e Moskës në Lindjen e Mesme.