Atentat me armë në Selanik: 24-vjeçari shqiptar qëllohet në rrugën “Egnatia”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 11.12.2024, 21:05

Një 24-vjeçar shqiptar është plagosur rëndë pas një atentati me armë zjarri mbrëmjen e sotme në Selanik, Greqi. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Egnatia”, në afërsi të kabinave të pagesës në Oraiokastro, ku i riu u qëllua teksa po lëvizte me motoçikletë.

I riu, identifikuar si Ronaldo Pecaku, me origjinë nga Elbasani, por i lindur dhe banues në Selanik, jetonte në Sozopoli të Halkidikisë. Sipas mediave greke, autorët e kanë ndjekur Pecakun dhe kanë hapur zjarr ndaj tij në momentin që ai po futej në rrugën me pagesë. Pavarësisht se ishte plagosur në bark nga disa plumba, Pecaku arriti të vazhdojë drejtimin e motoçikletës derisa u rrëzua pranë kabinës së pagesës.

Menjëherë pas ngjarjes, një ambulancë e ka transportuar të riun në spital. Burime spitalore raportojnë se gjendja e tij shëndetësore është kritike.

Mediat greke kanë publikuar të dhëna që tregojnë se Pecaku kishte precedentë penalë në Greqi. Ai ishte dënuar në korrik të vitit 2021 për vjedhje dhe kishte dalë nga burgu në nëntor të po atij viti. Ende nuk dihen motivet e sakta të sulmit, por lidhjet e tij me të kaluarën kriminale po hetohen si një pistë e mundshme.

Policia greke po punon për të identifikuar autorët e sulmit dhe për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Zona e atentatit është rrethuar për të kryer hetime, ndërsa kamerat e sigurisë pritet të ndihmojnë në zbardhjen e lëvizjeve të autorëve.

Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar dhe atë grek, duke rikthyer vëmendjen mbi sigurinë dhe rritjen e akteve të dhunshme në rajon.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit