Sot është afati i fundit qe partitë politike në vendin tonë të dorëzojnë listat me kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Zyrtarisht sipas Komisionit Qendror Zgjedhor sot në mbrëmje edhe mbyllet afati për dorëzimin e këtyre listave.
Ky afat përfundon sot për shkak se të gjithë emrat në këto lista duhet të verifikohen e të dihet nëse të njëjtit do të mund të kandidojnë.
Partitë politike veçse kanë punuar në këtë çështje dhe pak nga to kanë lënë që sot t’i dorëzojnë listat.
Subjektet më të vogla politike në vend vese i kanë përfunduar dhe i kanë dorëzuar listat, ndërsa partitë e mëdha ende jo.
Kurse Vetëvendosje, PDK dhe LDK pritet që listat përfundimtare t’i dorëzojë sot. Madje sipas burimeve të lajmit disa nga këto parti politike mbrëmë kanë qëndruar deri vonë duke i kompletuar emrat që do t’i rendisin në listat e kandidaturës për deputet.
E sa i përket kësaj çështje në një deklarim nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi deklaroi dje se partitë politike duhet të paraqesin aplikimin e tyre për këto zgjedhje, e bashkë me to edhe listat me emrat e kandidatëve.
“Subjektet politike që kanë paraqitur aplikimin e tyre janë: 1.Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) – 35 kandidatë; 2.Jednstvena Goranska Partija (JGP) – 29 kandidatë; 3.Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI) – 35 kandidatë; 4.Srpska Demokratija (SD) – 13 kandidatë; dhe 5.Narodna Pravda – 10 kandidatë. Afati i fundit për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të paraqitur kërkesat e tyre për certifikim për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025 është 11 dhjetor 2024, ora 16:00. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat të kandidatëve për deputetë”, ka thënë Elezaj për lajmi.net.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se pas përfundimit të këtij afati ne do të dihet se cilat subjekte politike do të kërkojnë certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e shkurtit të vitit të ardhshëm.
“Aktualisht ne nuk mund ta dijmë se sa është numri i subjekteve politike që do të garojnë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025. Vetëm pas përmbylljes së afatit për aplikim, do të mund ta dijmë se cilat janë subjektet politike që do të kërkojnë certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje dhe se sa është numri i përgjithshëm i kandidatëve të tyre”, tha Elezi.
Elezi njoftoi se pas përfundimit të periudhës së aplikimit, KQZ do të shqyrtojë nëse aplikimet janë në përputhje me ligjin dhe procesi i certifikimit është i planifikuar të përfundojë më së largu deri më 25 dhjetor 2024.
Shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, është planifikuar të bëhet më 7 janar 2025.
Zgjedhjet parlamentare të vendit do të mbahen më 9 shkurt 2025. Kjo datë ishte caktuar nga presidentja Vjosa Osmani pas takimit që pati realizuar me krerët e partive më të mëdha politike në vend.
9 shkurti do të jetë datë vendimtare për fatin politik të Kosovës për 4 vitet e ardhshme ( nëse Qeveria nuk rrëzohet gjatë mandatit të rregullt).
Natyrisht se fushata nuk ka filluar zyrtarisht, por liderët e partive politike dhe anëtarët po përkujdesen që fushatë të realizojnë edhe tani.
Disa prej partive janë fokusuar në diasporë, e disa të tjera nëpër fshatrat e qytetet e Kosovës.
Si kandidatë për kryeministër nga partitë më të mëdha në vend janë: Albin Kurti, Lumir Abdixhiku, Bedri Hamza dhe Ramush Haradinaj.
Të gjithë janë shprehur të bindur në fitore, derisa qytetarët kanë mundësi që të dalin në zgjedhje e të bëjnë të ditur se kujt ia besojnë katër vite të tjera qeverisje.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kishin garuar 28 subjekte politike, prej tyre 21 parti politike; 2 koalicione; 5 iniciativa qytetare dhe asnjë kandidat i pavarur.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve ishte rreth 1 mijë e 50 kandidatë.