Siria po përballet me sulme intensive nga Izraeli, SHBA dhe Turqia, teksa këto shtete përpiqen të ruajnë interesat e tyre pas rrëzimit të Bashar al-Assad nga pushteti.
Izraeli ka kryer mbi 250 sulme ajrore duke shkatërruar baza ushtarake, depo armësh dhe lokacione të dyshuara për armë kimike, për të parandaluar që këto të bien në duart e grupeve armiqësore.
Ndërkohë SHBA ka goditur objektiva të lidhura me ISIS-in, duke synuar të pengojë ringritjen e grupit terrorist në këtë periudhë të pasigurt.
Nga ana tjetër, Turqia ka sulmuar forcat kurde dhe ka vendosur kushte për të mos lejuar që PKK apo ISIS të përfitojnë nga situata.
Pas mbi 50 vitesh, pushteti i familjes Assad u rrëzua nga rebelët islamistë të HTS, ndërsa vetë Assad kërkoi azil në Moskë. Ky zhvillim shënoi fundin e një epoke të gjatë dhe brutale, duke hapur një kapitull të ri për Sirinë, por gjithashtu duke lënë pas një vend të shkatërruar dhe të mbushur me pasiguri.