Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e drejtuar nga Anila Denaj, ka shpallur fitues për Lotin 3 të tenderit me objekt “Studim projektim për objektet e programit të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit” në Drejtorinë e Ujërave të Kullimit Fier, konsorciumin e përbërë nga dy kompani: ARGI, në pronësi të Llambi Tarka, dhe HYDROWATER-ALBANIA, në pronësi të Gert Pustinës.
Vlera fituese e tenderit është 7,468,827 lekë të reja pa TVSH ose rreth 90 milionë lekë të vjetra me TVSH, që përfaqëson 99.8% të fondit limit të përcaktuar nga Ministria. Proçedura e tenderit ishte e hapur dhe mbi kufirin e lartë monetar, me referencën REF-18343-09-09-2024.
Në këtë garë morën pjesë pesë kompani, nga të cilat tre ofruan shifra më të ulëta se fituesit, por ofertat e tyre nuk u morën në konsideratë. Ky fakt ka ngritur pikëpyetje mbi transparencën e procesit të vlerësimit.
Llambi Tarka, pronari i kompanisë ARGI, nuk është një emër i panjohur në çështjet e korrupsionit. Ai ka qenë më parë në qendër të hetimeve në një operacion të koduar “Rikonstruksioni”, të kryer nga zyra e krimit ekonomik. Në vitin 2010, Tarka, në atë kohë anëtar i komisionit të prokurimeve në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, u arrestua për korrupsion së bashku me sekretarin e përgjithshëm të ministrisë dhe një biznesmen. Ata akuzoheshin për manipulimin e një tenderi me vlerë 400 mijë euro, ku dy zyrtarëve u ishte premtuar 10% e shumës nga fituesi.
Pavarësisht të kaluarës së tij, Tarka dhe kompania e tij vazhdojnë të fitojnë tendera të rëndësishëm nga autoritetet shtetërore, duke ngritur shqetësime të reja mbi integritetin e procesit të prokurimeve publike.
Rasti pritet të ngjallë debat publik dhe të ngrejë akuza ndaj qeverisë për mungesë transparence dhe përgjegjshmërie. Përfshirja e një individi me të kaluar kriminale në tendera shtetërorë është një tjetër goditje për përpjekjet e deklaruara kundër korrupsionit dhe për rritjen e besimit në institucionet publike.