Kushti i Kurtit për dorëzimin e Radoiçiqit ende i paplotësuar, por takimet në Bruksel vazhdojnë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 12.12.2024, 21:32

Bashkimi Evropian ka konfirmuar të martën se takimi i radhës në kuadër të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh, do të zhvillohet më 17 dhjetor në Bruksel dhe se të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim. Megjithatë, ky takim do të ndodh pa plotësimin e kushtit të “vendosur” më parë nga kryeministri Albin Kurti, i cili ka kërkuar vazhdimisht ekstradimin e kryekriminelit serb Milan Radoiçiq në Kosovë, apo njohur ndryshe si njeriu që udhëhoqi sulmin e 24 shtatorit e vitit të kaluar në Banjskë ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Hera e fundit, por jo edhe e vetmja, që Kurti kërkoi dorëzimin e Radoiçiqit tek drejtësia kosovare ishte pas takimit me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, që ndodhi pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

“Kryekrimineli i bandës që kreu këtë (sulmin mbi Ibër-Lepenc) mbahet i lirë dhe mbështetet nga Serbia. Ne kërkuam, si në çdo takim tjetër, dorëzimin e Radoiçiqit tek autoritetet e Kosovës pasi Prokuroria tani ka aktakuzë prej 160 faqësh dhe grupin e tij prej mbi 40 personave”, kishte thënë Kurti pas takimit.

Paraprakisht, kreu i ekzekutivit, gjatë mbledhjes së Qeverisë, më 28 qershor, kishte njoftuar mbi takimin e dështuar në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në fjalën e tij, Kurti pati thënë se nuk ka mirëbesim në dialog pa dorëzimin e kryeterroristit serb dhe grupit të tij, për të cilët pati deklaruar se mbështeten nga shteti serb.

“Të mërkurën u mbajt takimi i radhës i nivelit të lartë në Bruksel. Ishte takimi i parë i nivelit të lartë pas sulmit terrorist në Banjskë me organizimin dhe financim të shtetit të Serbisë. Pas nëntë muajve nga sulmi, kryeterroristi Radoiçiq është i lirë dhe mbrohet nga Serbia. Ne nuk mund ta ngjallim heroin tonë Afrim Bunjaku, por Serbia mund ta dorëzojë grupin paramilitar serb me kryeterroristin Radoiçiq që të përballen me drejtësinë në Kosovë. 39 nga 47 të identifikuar për sulmin ndodhen në listën e kërkimit ndërkombëtar të INTERPOL-it. Për sa kohë Radoiçiqi dhe grupi i tij enden të lirë në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim”, ishte shprehur Kurti.

Të njëjtën kërkesë Kurti e kishte shprehur edhe gjatë intervistës me Bloomberg, ku kishte kërkoi gjithashtu BE-së të ushtrojë më shumë presion mbi Beogradin për të ndihmuar në lehtësimin e tensioneve me një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Ky është takimi i parë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, pas sulmit terrorist të 29 nëntorit në Ibër-Lepenc, teksa kërkesa e Kurtit ka mbetur pa u plotësuar.

Takimi i fundit në nivel kryenegociatorësh është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel.

Kosova do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa Serbia nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit