Policia e Kosovës zbulon dhe konfiskon 105,000 euro të dyshuara si të falsifikuara në rajonin e Gjilanit
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, ka realizuar një operacion të suksesshëm më 9 dhjetor 2024.
Ky aksion erdhi pas marrjes së informacioneve mbi tentativat për qarkullimin e shumave të mëdha të parave të falsifikuara në rajonin e Gjilanit.
Gjatë veprimeve hetimore, policia ndaloi një automjet me targa vendore, të cilin e drejtonte një person i dyshuar, shtetas kosovar.
Gjatë kontrollit në automjet, u gjetën dhe u konfiskuan 105,000 euro të dyshuara si të falsifikuara.
Po ashtu, u krye kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku u gjet një makinë për numërimin e parave. Policia ka sekuestruar si prova materiale:
100,000 € në kartëmonedha prej 200 €.
5,000 € në kartëmonedha prej 100 €.
1 makinë për numërimin e parave.
3 telefona celularë.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe po hetohet për veprat penale “Falsifikimi i parasë” dhe “Pastrim i parasë”.
Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar për parandalimin e aktiviteteve kriminale dhe mbrojtjen e integritetit ekonomik të vendit.