Autoritetet në Republikën Domenikane kanë sekuestruar sasinë më të madhe të kokainës të kapur ndonjëherë në historinë e vendit, rreth 9.5 tonë, e fshehur në një dërgesë bananesh që mbërriti në portin e kryeqytetit të vendit, Santo Doming.
Sipas Carlos Denvers, shef i komunikimit të Drejtorisë Kombëtare të Kontrollit të Drogës, autoritetet zbuluan 320 thasë me 9,528 kilogramë kokainë, një sasi që vlerësohet me një vlerë tregu prej 250 milionë dollarësh.
"Hetimet paraprake tregojnë se një konteiner me banane kishte mbërritur nga Guatemala," deklaroi Denvers. "Shumë individë të panjohur kanë tentuar të transferojnë drogën në një konteiner tjetër që do të transportohej në Belgjikë."
Ky është sekuestrimi më i madh i drogës në historinë e Republikës Domenikane, duke tejkaluar atë të vitit 2006, kur në portin Caucedo të Santo Domingos u kapën 2,580 kilogramë kokainë.
Sipas fondacionit InSight Crime, i cili analizon krimin e organizuar, ky rast është një tregues i rikthimit të Karaibeve si një rrugë kryesore trafiku nga Kolumbia drejt Evropës. Konsumi i kokainës në Evropë mendohet se është më shumë se dyfishuar nga viti 2011 deri vitin e kaluar, duke rritur aktivitetet e trafikimit në këtë rajon.