Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania lidhur me gjendjen alarmante të mbikalimit në aksin rrugor Lushnjë-Rrogozhinë, vetëm pak metra larg vendit ku mëngjesin e sotëm ndodhi një aksident tragjik.
Një qytetar u shpreh se shkallët e dëmtuara dhe pjesët që mungojnë në strukturën e mbikalimit e bëjnë të rrezikshëm për t’u përdorur, veçanërisht për të moshuarit.
“Përshëndetje JOQ! Në lidhje me aksidentin që ndodhi sot në mëngjes në Lushnjë, dua t’ju informoj se mbikalimi nuk është në rregull. Këmbësorëve u rrezikohet jeta nga mungesa e shkallëve dhe lëvizja mbi të është shumë e rrezikshme. Nga momenti në moment, mund të ndodhë një tragjedi,” u shpreh një qytetar për JOQ Albania.
Siç shihet edhe në fotot e mëposhtme të dërguara nga denoncuesi, një shkallë mungon plotësisht, duke e bërë kalimin jo vetëm të vështirë, por thuajse të pamundur për një të moshuar. Madje, përpjekja për ta kapërcyer këtë pengesë mund të shkaktojë incidente të rënda, duke vënë në rrezik jetën e këmbësorëve.
Qytetari theksoi se mbikalimi është kthyer në një burim rreziku dhe kërkoi ndërhyrje urgjente nga autoritetet.
Mëngjesin e sotëm, 79-vjeçari, Avdulla Ferhati, humbi jetën në këtë aks pasi u përplas nga një automjet ndërsa po përpiqej të kalonte rrugën përmes trafikndarëses. Ngjarja ndodhi vetëm pak metra larg mbikalimit.
I moshuari vendosi të kalonte rrugën në mes të trafikut, një vendim që rezultoi fatal për të.
“Rreth orës 08:20, në aksin rrugor 'Lushnjë-Rrogozhinë', shtetasi H. F., 27 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka përplasur këmbësorin, shtetasin A. F., 79 vjeç. Si pasojë e përplasjes, shtetasi A. F. ka ndërruar jetë në vendngjarje. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme,” njoftoi policia.
JOQ Albania ju bënb thirrje institucioneve përkatëse për riparimin dhe mirëmbajtjen e mbikalimit, për të shmangur ndonjë incident tragjik të mundshëm.