Familjet shqiptare harxhojnë më shumë për arsimin, por bie cilësia

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 09.12.2024, 12:36

Arritjet mësimore të nxënësve shqiptarë, të matura përmes testimeve ndërkombëtare PISA, kanë pësuar rënie gjatë periudhës 2018-2022. Megjithatë, shpenzimet e familjeve shqiptare për arsimin kanë ardhur në rritje.

Sipas të dhënave nga anketa e buxhetit të familjeve të INSTAT, një familje shqiptare shpenzoi mesatarisht 2,766 lekë në muaj në vitin 2021 (33,192 lekë në vit) për shërbime arsimore, përfshirë transportin, tarifat për logjistikën në shkollat publike dhe pagesat për arsimin privat. Në vitin 2023, shpenzimet mesatare mujore u rritën në 3,209 lekë (38,503 lekë në vit), duke reflektuar një rritje prej 16% për familje. Kjo rritje ka qenë më e lartë për familjet me fëmijë, ndërsa shkollat private kanë rritur ndjeshëm tarifat për shkak të shtimit të kostove në burime njerëzore dhe shërbime të tjera.

Sipas testimeve të PISA-s në vitin 2022, nxënësit shqiptarë 15-vjeçarë morën 368 pikë në matematikë, 69 pikë më pak se në 2018 dhe 21 pikë më pak se në 2012. Në letërsi, ata arritën 358 pikë, 47 më pak se në 2018 dhe 35 më pak se në 2012, ndërsa në shkenca rënia ishte e ngjashme.

Numri i përgjithshëm i shkollave ka rënë ndjeshëm gjatë viteve të fundit, përveç shkollave parashkollore. Arsimi publik mbetet dominues, duke përbërë 88% të institucioneve parauniversitare dhe 76% të institucioneve të arsimit të lartë. Megjithatë, rritja e numrit të nxënësve në shkollat private ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve të familjeve.

Faktorë të tillë si mungesa e sigurisë dhe oraret e papërshtatshme kanë shtyrë prindërit të zgjedhin shkollat private, edhe pse cilësia e tyre shpesh nuk arrin të konkurrojë me atë të shkollave publike.

Në një analizë të fundit, UNESCO ka theksuar nevojën urgjente që Shqipëria të përmirësojë financimin dhe shpërndarjen e burimeve për sektorin e arsimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit