Rrëzimi i Assad, SHBA bombardon kampet e ISIS në Siri

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 08.12.2024, 23:39

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një ofensivë të madhe ajrore ndaj objektivave të Shtetit Islamik (ISIS) në Siri.

Sulmet përfshinin mbi 75 objektiva të grupit terrorist, duke përfshirë kampe dhe operativë të ISIS. Për këtë operacion u përdorën bombardues B-52, avionë luftarakë F-15 dhe avionë mbështetës A-10, me qëllim që të parandalohet ringritja e ISIS në rajonin qendror të Sirisë.

Shefi i Komandës Qendrore të SHBA, gjenerali Erik Kurilla, paralajmëroi se SHBA do të ndëshkojë çdo grup që mbështet ISIS në ndonjë formë.

"Ne nuk do të lejojmë që ISIS të ringrihet dhe të përfitojë nga situata aktuale në Siri," tha ai.

Këto zhvillime vijnë pas rrëzimit të papritur të regjimit të Bashar al-Assad, duke i dhënë fund mbi 50 viteve të sundimit të familjes Assad. Rebelët turk të mbështetur nga Hayat Tahrir al-Sham kanë marrë kontrollin e Damaskut dhe qyteteve kryesore si Aleppo.

Rënia e regjimit Assad pritet të ketë ndikime të thella rajonale, duke dobësuar pozitën e Rusisë dhe Iranit në Lindjen e Mesme, duke i prerë furnizimet e Teheranit për Hezbollahun dhe ndoshta duke ndryshuar balancën gjeopolitike në rajon.

Ndërkohë, situata ka ngritur shqetësime mbi sigurinë e burgjeve ku mbahen luftëtarët e ISIS dhe pasojat e mundshme të destabilizimit të mëtejshëm në Lindjen e Mesme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit