Një qytetar nga Tirana ka denoncuar pranë JOQ Albania lehtësinë me të cilën kapsollat, megjithëse të ndaluara, mund të aksesohen nga fëmijët. Sipas tij, pavarësisht ndalimit të shitjes së këtyre lëndëve piroteknike vite më parë, ato vijojnë të tregtohen pa pengesa, duke përbërë një rrezik të madh, sidomos për të miturit.
Në denoncim, qytetari thekson se Grand Gallery, zona e Yzberishtit, është veçanërisht problematike në këtë drejtim. “Përshëndetje JOQ. A nuk supozohet që kanë shumë kohë që i kanë ‘hequr’ nga qarkullimi kapsollat? Pse janë kaq lehtësisht të aksesueshme nga fëmijët? Nuk e kuptoj pse policia nuk heton se ku shiten e ku furnizohen, po merren me të moshuarit që shesin zarzavate në rrugë," shprehet ai.
Në mesazhin e tij, qytetari përfshin edhe një video të bërë më 7 dhjetor 2024, rreth orës 19:20 të mbrëmjes, ku sipas tij dëshmohet përdorimi masiv i kapsollave nga fëmijët. Ai thekson se në këtë zonë hidhen të paktën 100 kapsolla çdo ditë, një problem që ai e lidh me mungesën e kontrolleve të institucioneve përkatëse.
“Presupozohet që janë ndaluar që të shiten vite më parë, me sa di unë,” përfundon qytetari, duke ngritur shqetësimin për indiferencën e autoriteteve dhe prioritizimin e gabuar të aksioneve policore.
Denoncime të tilla janë të zakonshme në këtë periudhë të vitit, kur përdorimi i fishekzjarreve dhe kapsollave rritet ndjeshëm për shkak të festave. Megjithatë, mbetet e paqartë se si tregtimi i këtyre produkteve vijon, pavarësisht ndalimit ligjor. Policia dhe autoritetet e tjera përkatëse ende nuk kanë dhënë një reagim publik lidhur me rastet e tilla.