Flluska në ndërtim po afron? FMN i bën thirrje BSH të kufizojë dhënien e kredive

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 07.12.2024, 20:10

Një në pesë kredi të miratuara gjatë këtij viti është orientuar drejt sektorit të ndërtimit ose për investime në pasuri të paluajtshme, duke përbërë një sinjal të qartë për një rritje të shpejtë që mund të sjellë pasoja për ekonominë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, nga një total prej 218.8 miliardë lekësh kredi të re gjatë periudhës janar-tetor, 20% ose mbi 44.5 miliardë lekë i përkasin këtyre dy sektorëve, duke shënuar një rritje prej 7.2 miliardë lekësh krahasuar me vitin e kaluar.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo dukuri, megjithëse duket si shenjë e zhvillimit ekonomik, në të vërtetë fsheh rreziqe të mëdha. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka paralajmëruar Bankën e Shqipërisë që të marrë masa për të kufizuar ritmin e shpejtë të kreditimit në sektorin e pasurive të paluajtshme. Sipas FMN-së, është e nevojshme të kryhen analiza të detajuara mbi profilin e huamarrësve për të parandaluar krijimin e një flluske financiare, e cila mund të shkaktojë krizë në të ardhmen, siç ka ndodhur në vende të tjera.

Ekspertët kujtojnë krizat e mëparshme të shkaktuara nga sektori imobiliar, si ajo e viteve 2007-2009 në SHBA apo problemet aktuale në tregun e pasurive të patundshme në Kinë. “Kur ndërtimi bëhet sektori kryesor i ekonomisë, ka diçka që nuk shkon. Ekspozimi i bankave në këtë sektor është shqetësues dhe mund të ketë pasoja të rënda,” thonë ekspertët.

Banka e Shqipërisë po analizon mundësinë e kufizimit të kredidhënies për sektorin e ndërtimit dhe blerjen e pronave, duke shqyrtuar vendosjen e tavaneve dhe kushteve shtesë për huatë e lidhura me shtëpitë e dyta apo më shumë. Kjo vjen në një kohë kur 51% e pronave të shitura në pesë vitet e fundit janë blerë përmes kredive bankare, që mbulojnë deri në 80% të vlerës së pronës.

Përtej këtyre paralajmërimeve, bumi i ndërtimeve vijon me ritme të larta. Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2024 janë miratuar mbi 2 milionë metra katrorë leje ndërtimi, një rritje prej gati 500 mijë metra krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, të dhënat nga regjistrimi i fundit i popullsisë (CENS) tregojnë një rënie prej 400 mijë banorësh dhe mbi 40 mijë apartamente bosh, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi arsyeshmërinë ekonomike të bumit të ndërtimit dhe rritjes së çmimeve të pronave.

“Një bum kaq i madh ndërtesash është i pashpjegueshëm kur kemi rënie të popullsisë dhe kaq shumë apartamente bosh. Ky është një paralajmërim për një flluskë që po afron,” shprehen ekspertët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit