Një javë më parë, policia greke arrestoi një ish-oficer të anti-drogës në Athinë, një shtetas shqiptar dhe një grek, pas hetimeve mbi komunikimet e tyre në platformën “Sky ECC” që zbuluan bashkëpunimin e tyre për trafik droge. Oficeri grek, Ilia T., kishte kontakte me 45-vjeçarin shqiptar Sandër Pemaj, i dënuar më parë për trafikimin e 1.2 ton kokainë nga Karaibet në Greqi. Pemaj, i konsideruar një figurë kryesore e krimit të organizuar shqiptar në Greqi, vijon të kontrollojë aktivitetin kriminal nga burgu.
Sipas mediave greke, janë siguruar pjesë nga dosja hetimore që përmbajnë biseda mes personazheve të përfshirë.
Në një nga komunikimet, një shpërndarës droge i shkruan Pemajt:
“Është bërë problem i madh, më preu (nënkupton policin)... E ndërpreu bashkëpunimin se u dëgjua lart (në qendër) që më ka mbuluar dhe më thotë më fal, nuk mundemi të vazhdojmë.”
Pemaj i përgjigjet:
“Budallallëqe thotë. Në një kohë të shkurtër do të thotë 'vëlla, po, e kishin gabim. Ndoshta nuk ishte ashtu, ishte diçka tjetër, le të takohemi përsëri'. A e kuptove? Diçka kërkon ai. Diçka të marrë, e di ti.”
Shpërndarësi i thotë:
“Ai mund të ketë frikë, por mos na gatua ndonjë gjë, kam frikë tani, o vëlla. Nuk kam fare besim tek ai, tek tjetri kam plot, me sy mbyllur. Më thotë se dëgjohet shumë lart.”
Pemaj:
“Ndoshta do 'kafe' më të madhe.”
Në një tjetër bisedë, oficeri i policisë komunikon me Pemajn dhe i thotë:
“Të të them, një grek do SKUNK, 100 në muaj jep. Ke?”
Në një tjetër dialog, oficeri i kërkon Pemajt 10 kg kokainë për një person të tij.