Mario Mitaj shkëlqen ndaj Cristiano Ronaldos, jep asistin e golit të fitores kundër Al-Nassr

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 06.12.2024, 23:47

Në përballjen mes Al-Ittihad dhe Al Nassr, e vlefshme për javën e 13-të të Ligës Saudite, skuadra e Mario Mitajt arriti të triumfojë me rezultatin 2-1, duke mposhtur ekipin e yllit portugez Cristiano Ronaldo.

Mbrojtësi i majtë i Kombëtares tregoi një paraqitje të shkëlqyer, duke spikatur si një nga lojtarët më të dalluar në fushë. Gjatë gjithë ndeshjes, Mitaj mori duartrokitjet e tifozëve për ndërhyrjet e tij të sakta dhe për elegancën e shfaqur në lojë.

Në pjesën e parë, ai u shndërrua në një pengesë serioze për Ronaldon, duke i ndërprerë disa herë aksionet dhe duke i marrë topin në situata vendimtare. Për më tepër, Mitaj tregoi aftësi të shkëlqyera teknike, duke kaluar disa kundërshtarë me driblime të sigurta.

Protagonizmi i tij arriti kulmin në minutat e fundit të takimit, kur ai dhuroi asistin që solli golin e fitores për ekipin e tij.

Me këtë paraqitje, Mario Mitaj jo vetëm që konfirmoi talentin e tij, por gjithashtu tregoi se është një lojtar i aftë për të shkëlqyer në skena të mëdha. Fitorja ndaj Al Nasr dhe Ronaldos është një moment i rëndësishëm për të dhe për Al Itihad.

Në këtë sfidë shënuan dy ish-shokët dhe ish-yjet e Real Madrid, Benzema dhe Ronaldo, të cilët luajtën kundër njëri-tjetrit dhe fituesi kësaj here ishte sulmuesi francez.

Al Itihad i Mario Mitajt pozicionohet në vendin e parë në Ligën Saudite me 36 pikë të grumbulluara në 13 ndeshje, ndërsa Al-Nassr në vendin e pestë me 25 pikë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit