Kushte skandaloze në Maternitetin e Shkodrës: Lagështirë, myk dhe pa ngrohje!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 06.12.2024, 23:17

Një qytetare ka denoncuar kushtet e mjerueshme në Maternitetin e Shkodrës përmes një mesazhi dërguar redaksisë së JOQ Albania.

Pamjet dhe përshkrimi i situatës tregojnë një realitet tronditës: mure të mbuluara me myk dhe lagështirë, mungesë totale të ngrohjes dhe një foshnjë e porsalindur që kalon në hipotermi për shkak të të ftohtit.

Sipas qytetares, as kushtet më minimale bazë nuk janë të garantuara në këtë institucion.

"Përshëndetje JOQ! Dua të bëj një denoncim për kushtet në Maternitetin e Shkodrës. Skandaloze! As kushtet më minimale bazë. Muret përreth, të gjitha të mykura. Sikur mos të mjaftonte kjo, kemi kaluar të gjithë natën pa asnjë lloj ngrohjeje. Bebi i porsalindur kaloi në hipotermi nga i ftohti. Pasi e morëm furrnelen nga shtëpia për t’u ngrohur, infermieria na thotë që kemi urdhër nga drejtori të mos ndizet asnjë furrnelë. Ndërkohë, bebi i porsalindur me teshtitje dhe me hipotermi," shprehet ajo.

Ky realitet i denoncuar nga qytetarët është në kontrast të plotë me imazhin që propagandohet përmes rrjeteve sociale nga “Rilindja” mbi përmirësimet në sistemin shëndetësor. Reklamimi i spitaleve “moderne” duket të jetë një fasadë, ndërsa realiteti flet për kushte skandaloze, ku foshnjat dhe familjet përballen me mungesë ngrohjeje dhe rreziqe serioze për shëndetin.

A është kjo “shëndetësia e Rilindjes” që promovohet kaq masivisht? Në vend që të përmirësohet infrastruktura dhe të sigurohen kushte bazë për të sapolindurit dhe nënat, qytetarët përballen me indiferencën e drejtuesve të institucioneve.

Kjo situatë kërkon një reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse, që duhet të japin llogari përse të sapolindurit dhe familjet e tyre detyrohen të përballen me kushte kaq të rënda.

Ky denoncim është një tjetër dëshmi që tregon sa larg është realiteti nga propaganda.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit