Një qytetar ka raportuar në redaksinë e JOQ Albania një skemë mashtrimi që po qarkullon përmes mesazheve SMS, e cila synon vjedhjen e të dhënave bankare të përdoruesve. Mesazhi paraqitet si i ardhur nga Posta Shqiptare dhe njofton për një gjoja paketë të porositur që duhet të paguajë detyrime doganore në shumën 49.99 lekë.
Në momentin që përdoruesi klikon mbi linkun e dërguar në mesazh, hapet një faqe interneti që ngjan me atë të Postës Shqiptare. Faqja i kërkon përdoruesit të fusë të dhënat e kartës bankare, duke përfshirë numrin e kartës, datën e skadimit dhe CVV-në.
Mesazhi i qytetarit, i cili ndau këtë përvojë për të paralajmëruar të tjerët: "Përshëndetje JOQ, njoftoj qytetarët që kujt i ka vajtur ky mesazh mos ta hapin sepse nuk ka asgjë tjetër përveçse do t'ju marrin të dhënat e kartës së bankës."
Në foto të dërguara nga qytetari, shihet se mesazhi përmban tekstin: "Posta Shqiptare: Paketa juaj AL92001827441 i nënshtrohet detyrimeve doganore (49.99 ALL), të cilat duhet t'i paguani nëpërmjet: posta-pakete.com."
Ndërsa në linkun e dërguar, hapet një faqe ku kërkohet të plotësohen të dhënat bankare me një ndërfaqe të dyshimtë.
JOQ Albania i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos hapin mesazhe të tilla dhe të mos fusin të dhënat bankare në faqe të panjohura. Kujdesi është jetik për të shmangur rënien pre e mashtrimeve të tilla.