Balluku i jep 10 MLN Euro Rrok Gjokës për t’i çuar ujë oligarkëve në Dhërmi

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 06.12.2024, 19:16

Në një tender të dyshimtë të zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, kompania “Gjoka Konstruksion”, në pronësi të Rrok Gjokës, ka fituar një kontratë me vlerë 797,518,830 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 10 milionë euro me TVSH, për furnizimin me ujë të zonave bregdetare të investimeve strategjike në Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi (Faza e III).

Pavarësisht se tenderi u zhvillua përmes procedurës së hapur mbi kufirin e lartë monetar, morën pjesë vetëm dy kompani. Kompania e dytë u skualifikua për mungesë dokumentacioni, çka ka ngjallur dyshime mbi legjitimitetin e garës. Me këtë situatë, “Gjoka Konstruksion” rezulton të jetë fituesi i paracaktuar, duke u përballur me një konkurrencë të cunguar.

Tenderi kishte një fond limit prej 849,464,199 lekë të reja pa TVSH, ndërsa vlera fituese përbën 93.9% të këtij fondi. Ky rezultat ngre pikëpyetje të mëdha mbi transparencën dhe drejtësinë e procesit.

Investimi në zonën bregdetare i shërben furnizimit me ujë të zonave të cilësuara si zona të investimeve strategjike, të cilat janë në interes të një grupi të vogël biznesmenësh të njohur si oligarkë, të cilët zotërojnë resorte dhe prona luksoze në Dhërmi dhe zonat përreth. Vendimi i ministres Belinda Balluku për të lejuar një tender me këto rrethana ka ngritur kritika të forta për favorizimin e hapur të oligarkëve dhe mungesën e konkurrencës së ndershme.

Ky zhvillim përforcon shqetësimet mbi mënyrën sesi burimet publike po përdoren për të mbështetur interesa private, duke dëmtuar transparencën dhe besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit