Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me nga 10 vite burg (6 vite e 8 muaj pas gjykimit të shkurtuar) shtetasit Irisa Puca dhe Adrian Korriku për veprat penale të ‘mashtrimit kompjuterik’ dhe ‘grupit të strukturuar kriminal’. Ata do të vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, sipas vendimit të trupës gjykuese të përbërë nga Flora Haredinaj, Flojera Davidhi dhe Elsa Ulliri.
Hetimet në bashkëpunim me autoritetet gjermane zbuluan se Irisa Puca, Erlind Çekaj, Endri Bulku dhe Ardian Korra ishin të përfshirë në platformat mashtruese të kompanisë “PumaTS/SMCompany” të lidhur me “Milton Group”. Ndërkohë, Merxhan Çeliku kishte kontakte të drejtpërdrejta me viktimat në Austri dhe Gjermani përmes këtyre platformave.
Irisa Puca dhe Adrian Korriku rezultuan si pjesë e grupit të drejtuar nga Amant Josifi, për të cilin SPAK mbylli hetimet më 10 shkurt 2024.
Njoftimi i GJKKO:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurve Adrian Korriku dhe Irisa Puca, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në dëm të disa personave, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar si vepra penale nga nenet 143/b/2, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flora Haredinaj, Flojera Davidhi dhe Elsa Ulliri, me vendimin Nr. 73, datë 06.12.2024 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurës Irisa Puca, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik” të kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 143/b paragrafi 2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal dhe, në bazë edhe të nenit 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e saj me 10 (dhjetë) vjet burgim.
– Deklarimin fajtor të të pandehurës Irisa Puca, për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë të Kodit Penal dhe, dënimin e saj me 2 (dy) vjet burgim.
– Në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55 paragrafi i parë të Kodit Penal, dënimin e të pandehurës Irisa Puca me një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vjet burgim.
– Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurës Irisa Puca, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 6 (gjashtë) vjet e 8(tetë) muaj burgim.
– Vuajtja e dënimit të pandehurës i fillon nga dita e ndalimit datë 08.11.2022, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Adrian Korriku, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik” të kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 143/b paragrafi 2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal dhe, në bazë edhe të nenit 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.
Rruga “Jordan Misja” Nr.1, 1057 Tiranë; tel/fax 0035542231527; www.gjp.gov.al
– Deklarimin fajtor të të pandehurit Adrian Korriku, për veprën penale
“Grupi i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë të Kodit Penal dhe, dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
– Në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55 paragrafi i parë të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit Adrian Korriku me një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vjet burgim.
– Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Adrian Korriku, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 6 (gjashtë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
– Vuajtja e dënimit të pandehurit i fillon nga dita e ndalimit datë 08.11.2022, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
3. Shpenzimet proceduriale, ato gjatë hetimit të çështjes në vlerën **** lekë, të pandehurve Irisa Puca dhe Adrian Korriku u ngarkohen solidarisht me të pandehurit në një proçedim lidhur, nr. 301/1 viti 2021, si dhe ato të gjykimit, sipas formularit bashkëngjitur këtij vendimi, të paguhen në mënyrë solidare nga të pandehurit Irisa Puca dhe Adrian Korriku.
4. Provat materiale, të bashkuara me fashikullin e gjykimit sipas urdhërit përkatës datë 05.02.2024 si dhe çdo provë tjetër materiale të sekuestruar për llogari të këtij procedimi penal të mbahen në ruajtje për llogari të procedimit penal të ndarë.
– Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Tiranë, më datë 06.12.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar