Operacioni i zhvilluar së fundmi në Greqi ka zbuluar informacion të rëndësishëm mbi aktivitetet kriminale të disa grupeve të përfshira në trafik droge, atentate dhe pastrim parash në Shqipëri, Greqi dhe Spanjë.
Sipas dosjes hetimore, të paktën 21 persona janë të lidhur me këto aktivitete. Ndër detajet e zbuluara, përmendet një atentat ndaj shtetasit shqiptar Ari Kosta Papa, më 26 shkurt 2021, në zonën "Stacioni i Larisës" në Athinë. Gjatë këtij sulmi, Papa, 32 vjeç nga Dhivri i Sarandës, mbeti i plagosur nga dy plumba. Sulmuesit, të cilët përdorën një taksi për t’u larguar, braktisën automjetin dhe armët pas ngjarjes.
Pavarësisht plagosjes, Ari Papa i mbijetoi këtij atentati. Megjithatë, më 30 maj 2021, ai u ekzekutua në një lokal në zonën "Sepolia" të Athinës. Për këtë vrasje, në mars 2023, policia greke arrestoi dy persona, një taksist shqiptar dhe një barist grek, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar autorët.
Komunikimet përmes platformës "Sky ECC" kanë zbuluar detaje për mbi 70 raste trafiku dhe shitjeje droge në Shqipëri, Greqi dhe Spanjë, si dhe aktivitete të tjera kriminale, përfshirë atentate dhe pastrim parash. Një nga rastet përfshin një shtetas shqiptar të ekzekutuar në Shqipëri përmes shpërthimit të një eksplozivi në automjetin e tij.
Në dosjet hetimore janë përmendur gjithashtu disa anëtarë të këtyre grupeve që ndodheshin në burgun e Koridhalos, të cilët, me ndihmën e zyrtarëve të korruptuar, kanë pasur privilegje, përfshirë mundësinë për të futur gra në burgje.
Vlera totale e lëndëve narkotike të trafikuara nga këto grupe kriminale arrin në 7.2 milionë euro. Procesi i pastrimit të parave është realizuar përmes kompanive të makinave me qira, basteve dhe sistemit Hawala.
Ari Papa, i njohur me pseudonimin “Ari vogël,” rezulton i skeduar për trafik droge, grabitje dhe tentativa të shumta për atentate ndaj tij. Që nga viti 2007, ai ishte shënjestër e disa atentateve, ndërsa gjatë viteve jetonte me masa të rrepta sigurie, përfshirë përdorimin e jelekut anti-plumb.
Sulmet e fundit ndaj tij përfshijnë atentatin e vitit 2019, ku mbeti i plagosur në zonën "Stacioni i Larisës," dhe ngjarjen e vitit 2021, ku mbeti i vrarë. Policia greke e lidh emrin e tij me një seri konfliktesh mes bandave kriminale shqiptare gjatë viteve 2007-2008.
Policia greke ka arrestuar disa persona të dyshuar për përfshirje në këto ngjarje. Mes tyre përmenden shtetasit shqiptarë me pseudonimet “Mili” (38 vjeç), “Dorian” (32 vjeç) dhe “Landi” (30 vjeç), të cilët rezultojnë të kenë luajtur role aktive në atentatet kundër Ari Papës.
Operacionet dhe hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet greke dhe shqiptare bashkëpunojnë për të zbardhur të plotë veprimtarinë e grupeve kriminale të përfshira.