Njësia Administrative 2 dhe Kashari janë zonat me ekspozimin më të lartë ndaj fatkeqësive, sipas raportit paraprak të Bashkisë së Tiranës mbi vlerësimin e rreziqeve në nivel vendor. Raporti analizon gjashtë rreziqe kryesore, duke përfshirë përmbytjet, rrëshqitjet, zjarret në pyje, rreziqet sizmike, biologjike dhe teknologjike, për të vlerësuar humbjet dhe ekspozimin për secilin rast.
Analiza identifikon se disa zona janë më të ekspozuara ndaj kombinimit të këtyre rreziqeve, ndërsa të tjera kanë nivele më të ulëta të ekspozimit. Sipas raportit, njësitë Kashar dhe 2 janë më të ekspozuarat ndaj fatkeqësive për sa i përket aseteve, ndërsa Baldushku, Kërraba dhe Zall-Bastari renditen si zonat më pak të ekspozuara. Në aspektin e popullsisë, njësitë 2 dhe 5 rezultojnë më të rrezikuarat, ndërsa Baldushku, Bërzhita, Kërraba, Petrela, Shëngjergji dhe Zall-Bastari janë më pak të prekura.
Njësia Administrative 2, një nga më të mëdhatë për nga territori në Bashkinë e Tiranës dhe e dyta për nga popullsia, përfshin zona si Depoja e Ujit, Sauku, Qyteti Studenti dhe përreth Senatoriumit.
Raporti thekson se rreziqet më të mëdha në Bashkinë e Tiranës janë ato sizmike dhe biologjike, ndërsa përmbytjet dhe zjarret në pyje kanë nivel më të ulët. Nga pikëpamja ekonomike, risku sizmik rezulton me koston më të lartë, i ndjekur nga rreziku biologjik, teknologjik dhe rrëshqitjet, ndërsa zjarret në pyje kanë ndikimin më të vogël ekonomik.
Për përballimin e këtyre rreziqeve, raporti rekomandon masa si planifikimi i fondeve buxhetore, përfshirë përdorimin e fondit 4% të bashkive si kontigjencë, si dhe mbështetje nga donatorët. Ndërhyrjet infrastrukturore për përmirësimin e aksesit në zonat më të thella dhe regjistrimi i zonave me rrezik të lartë janë gjithashtu të përfshira si prioritete. Për çdo rrezik specifik, raporti sugjeron masa të veçanta për zbutjen e efekteve të tij.