Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka shpallur fitues të tenderit për Lotin II “Shërbime mirëmbajtje UPS” kompaninë Advanced Business Solutions (ABS), e cila është në pronësi të biznesmenit Gerond Meçe. Fondi limit për këtë tender ishte 1,879,333 lekë të reja pa TVSH (rreth 23 milionë lekë të vjetra me TVSH).
Në këtë proces prokurimi morën pjesë gjashtë kompani, ndër të cilat dy kishin dorëzuar oferta më të ulëta se ABS. Megjithatë, kompania e Meçes u shpall fituese, duke nxitur diskutime mbi mënyrën e vlerësimit të tenderit dhe transparencën e procesit.
Kush është Gerond Meçe?
Gerond Meçe është pronari i ABS, një kompani e themeluar në vitin 2002 nga nëna e tij dhe e transferuar në emrin e tij në 2010. ABS ka përfituar rreth 43 milionë euro nga tenderat shtetërorë në dekadën e fundit, shpesh përmes procedurave të dyshimta dhe pa garë të plotë. Kjo ka ngritur akuza për lidhje të mundshme me kryeministrin Edi Rama dhe njerëz të afërt të tij, përfshirë baxhanakun e Ramës, Armand Frangu, me të cilin Meçe ka pasur bashkëpunime të dokumentuara në projekte ndërkombëtare.
ABS ka fituar kontrata të mëdha për mirëmbajtje pajisjesh teknologjike dhe infrastrukture, kryesisht nga institucione publike si OST dhe AKSHI. Shumica e këtyre projekteve janë akuzuar për mungesë transparence dhe manipulime në favor të kompanisë së Meçes, duke nxitur dyshime për korrupsion të niveleve të larta qeveritare.
Këto zhvillime ngjallin shqetësime për mungesën e konkurrencës së ndershme në procedurat e prokurimit publik dhe për mënyrën se si përdoren fondet shtetërore në Shqipëri. Ndërkohë është e çuditshme se si SPAK shpall fituese të tenderit një kompani të tillë.