Rritja e taksës së ndërtesës, qytetarët e bizneset paguajnë 15 mln euro më shumë

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 04.12.2024, 10:23

Në vitin 2025, banorët dhe bizneset e Tiranës do të paguajnë 3.65 miliardë lekë ose 36 milionë euro taksë për ndërtesat ku banojnë apo ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik.

Kjo shumë është parashikuar në projektbuxhetin e Bashkisë për vitin 2025 dhe në thelb nënkupton një rritje prej 74% ose 1.5 miliardë lekë (15 milionë euro) krahasuar me mesataren vjetore të të ardhurave nga kjo taksë në periudhën 2019-2023, e cila ishte 2.1 miliardë lekë, sipas Monitor. Ndonëse niveli i taksës mbi ndërtesat nuk ka ndryshuar, rritja e çmimit të referencës së ndërtesave, e aplikuar nga gushti i vitit 2024, ka çuar në një shtim automatik të detyrimeve për individët dhe bizneset.

Bizneset kanë paguar tashmë detyrimet shtesë për periudhën gusht-dhjetor 2024, një proces që shkaktoi paqartësi dhe bllokimin e llogarive të disa subjekteve.

Sipas relacionit të projektbuxhetit 2025, taksa mbi ndërtesën përbën rreth 13% të të ardhurave totale të Bashkisë Tiranë, bazuar në të dhënat faktike dhe parashikimet për vitin 2024. Llogaritja e kësaj takse bazohet në shkallën përqindore të përcaktuar me ligj, sipas kategorive të ndërtesave: 0.05% për ndërtesat që përdoren për banim, 0.2% për ato që përdoren për aktivitete ekonomike, 30% e shkallës për ndërtesat e papërfunduara brenda afatit të lejes së ndërtimit.

Në korrik të vitit të shkuar, hynë në fuqi çmimet e reja të referencës, duke ndryshuar çmimet mesatare të shitblerjes së ndërtesave në disa njësi administrative të Tiranës. Këto çmime u reflektuan në faturimet nga agjentët tatimorë në gusht 2023 dhe u aplikuan nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore në shtator 2024, bazuar në vendimin e Këshillit Bashkiak Nr. 35, datë 28.03.2024.

Viti 2023 ka shënuar realizimin më të lartë të kësaj takse deri tani, ndërsa 2024 pritet të ketë realizime edhe më të larta, për shkak të ndryshimeve në çmimet e referencës dhe nivelin e taksës. Për periudhën 2025-2027, planifikimi i të ardhurave bazohet në të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore për bizneset dhe në vlerësime paraprake për kategorinë familjare.

Për mbledhjen e kësaj takse, Bashkia Tiranë ka përcaktuar Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore për subjektet ekonomike dhe Ujësjellës-Kanalizime Tiranë sh.a. për kategorinë familjare, bazuar në një marrëveshje bashkëpunimi të vitit 2019. Sipas të dhënave për 9-mujorin e vitit 2024, mesatarisht janë faturuar 207,552 abonentë në muaj, ndërsa 170,778 kanë kryer pagesat. Përjashtimet nga taksa për muajin tetor 2024 përfshijnë 28,772 abonentë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit