Tripunovski: Do të angazhohemi për parandalimin e abuzimeve me subvencionet

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 04.12.2024, 08:27

“Në periudhën e kaluar, për fat të keq, u fol shumë më shumë dhe u realizua shumë pak në lidhje me subvencionet. Premtimi ynë parazgjedhor dhe obligimi ynë është pagesa e rregullt e subvencioneve për bujqit,” theksoi Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski.

“Kemi mbulim pothuajse për të gjitha degët në sektorin e bujqësisë. Sot janë paguar 166,704,501.00 denarë për 3,509 përfitues si ndihmë shtesë shtetërore prej 20% për mbajtësit e ekonomive bujqësore. Gjithashtu, janë paguar 16,724,726.00 denarë për 6 përfitues për investime në modernizimin e ekonomive bujqësore. Deri në fund të vitit do të kemi edhe një raund tjetër të pagesës së subvencioneve, me ç’rast do të përfundojmë pagesat e subvencioneve për vitin aktual 2024,” sqaroi ministri për “Alfa”.

Ministri Tripunovski kujtoi se deri para një kohe paguheshin subvencione nga vitet 2021, 2022 dhe 2023.

“Me strukturën financiare që kemi siguruar, kemi mbuluar të gjitha borxhet e papaguara. Në vitin 2025 do të hyjmë shumë më të lehtësuar, pra me pagesa aktuale të subvencioneve sipas kalendarit,” theksoi ministri.

Ai theksoi se tashmë po punohet në programet për subvencionim dhe pagesat direkte, ku do të ketë disa modifikime me qëllim që subvencionet të kenë efekt. Me këtë do të parandalohet edhe abuzimi që ka ndodhur në të kaluarën.

“Do të ketë kontrolle të përforcuara. Tashmë kam biseduar me drejtorin e Agjencisë për Pagesa dhe drejtorin e Inspektoratit të Bujqësisë që kapacitetet e Inspektoratit të Bujqësisë, përkatësisht inspektorët e kësaj institucioni, të vihen shtesë në funksion të Agjencisë për Pagesa, që do të thotë parandalim maksimal të keqpërdorimit të mjeteve financiare,” potencoi ministri Tripunovski.

“Ne do të sigurojmë mbështetje të rritur në periudhën e ardhshme, por gjithashtu do të angazhohemi maksimalisht për të mbyllur të ashtuquajturin ‘valvul’ të shpenzimeve joproduktive dhe abuzimeve në këtë drejtim,” sqaroi ai.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit