“Po tallen me ne, po vjedhin djersën tonë”, polici i burgut: As rritje pagash, as lekët e ushqimeve!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03.12.2024, 23:02

Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një efektiv i Policisë së Burgjeve, i cili ngre shqetësimin për mosdhënien e pagesave për ushqimet.

Pavarësisht miratimit të ligjit nga qeveria mbi një vit më parë, efektivët nuk kanë marrë asnjë kompensim, duke ndjerë një padrejtësi të madhe.

Në mesazhin e tij, efektivi i Policisë së Burgjeve shprehet i indinjuar: "Është bërë një vit nga momenti që është miratuar ligji dhe lekët e ushqimeve tona ndoshta në xhepin e kujt shkojnë. Ju lutem publikoje, se po afrojnë festat dhe asgjë nuk është bërë për ne."

Gjithashtu, ai thekson se rritja e pagave të premtuara nuk është zbatuar ashtu siç ishte planifikuar.

"Na patën premtuar një rritje prej 150 mijë lekësh, por na kanë dhënë vetëm 3 mijë lekë të reja shtesë. Ndërsa kryeinspektorët që rrinë nëpër kondicionerë e marrin shtesën. Punën e bëjmë ne, lekët i marrin ata."

Efektivi denoncon se rritja e premtuar e pagave sipas gradave është zbatuar në mënyrë të padrejtë: "Na është thënë se do ketë rritje page sipas gradave. Inspektorët, që janë në nivelin bazë, do të merrnin 15 mijë lek të reja shtesë, por në fakt janë rritur vetëm 3 mijë lek. Ndërkohë, kryeinspektorëve, që kanë paga më të larta, u është rritur paga me 150 mijë lek. Kjo do të thotë se lekët tona kanë kaluar tek ata."

Efektivi shton se situata është bërë edhe më shqetësuese pas një proteste të mbajtur disa muaj më parë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Peqin. Zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme kishin premtuar rishikimin e pagave dhe zbatimin korrekt të vendimeve, por deri më tani asgjë nuk ka ndryshuar.

Në mesazhin e tij të drejtpërdrejtë, efektivi shpreh zhgënjimin dhe indinjatën: "Po tallen me ne pafundësisht, po vjedhin lekët tona, mundin dhe djersën tonë."

JOQ Albania ka raportuar edhe më parë mbi kushtet e vështira dhe trajtimin e padrejtë të punonjësve të Policisë së Burgjeve. Ata janë ankuar shpesh për pagat e ulëta, mungesën e kompensimeve dhe mos sigurimin e transportit. Pavarësisht premtimeve, efektivët vijojnë të përballen me indiferencën e papranueshme të institucioneve.

Kjo gjendje alarmante ngre disa pyetje të rëndësishme: Pse nuk po zbatohen vendimet e qeverisë për rritjen e pagave dhe kompensimet? Përse rritja e pagave nuk po zbatohet njësoj për të gjithë? Deri kur efektivët e Policisë së Burgjeve do të përballen me këtë trajtim të padrejtë? A është kjo një mungesë vullneti apo një shpërfillje totale ndaj punonjësve të Policisë së Burgjeve?

JOQ Albania i bën thirrje institucioneve për të marrë masa të menjëhershme dhe për të respektuar angazhimet ndaj punonjësve të Policisë së Burgjeve, të cilët përballen çdo ditë me sfida të mëdha dhe meritojnë një trajtim të drejtë dhe dinjitoz.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit